Site icon Telegrafi

Bardhi i përgjigjet Peleshit: Nuk mund të ketë drejtësi me telekomandë kundër opozitës

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi reagoi sot pas deklaratës të kreut të grupit socialist Niko Peleshi, i cili tha se “protesta e opozitës vjen kundër një vendimi të formës së prerë të drejtësisë”.

Bardhi u shpreh se “nuk ka vendim më të lartë përfundimtar dhe pa asnjë mundësi rishikimi sesa vendimet e Gjykatës Kushtetuese”.

“Partia Socialiste refuzoi dy herë zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, duke mos pranuar të dorëzojë para drejtësisë bashkëpunëtoren e Edi Ramës, ish-ministren dhe deputeten Olta Xhaçka. Nga ky moment, përrallat me 140 vota për Reformën në Drejtësi, përrallat me respektin ndaj drejtësisë së pavarur apo vendimet e gjykatave, të thënë nga goja e tyre që kanë zhbërë vendimet e Gjykatës Kushtetuese, provojnë sesa të pafytyrë që janë”, shtoi ai.

Bardhi theksoi se “nuk mund të ketë një drejtësi me telekomandë kundër opozitës, dhe një drejtësi që injorohet kur godet bashkëpunëtorët e Edi Ramës”.

“Që nga momenti që Kushtetuta u gris për llogari të korrupsionit të Olta Xhaçkës, çdo grimcë e respektit ndaj shtetit ligjor, zhduket. Është detyrë dhe mision i opozitës që të reagojë ndaj tentativës së Partisë Socialiste për të zhbërë shtetin ligjor dhe për të instaluar shtetin personal të Edi Ramës”, tha ai. /Telegrafi/

Exit mobile version