Barcelona ka fituar në udhëtim te Malaga me rezultat 0-2 në ndeshjen e vlefshme për javën e 28-të të La Ligas.
Skuadra e Ernesto Valverdes ka vazhduar serinë pozitive pa humbje këtë sezon në kampionatin spanjoll, me 22 fitore dhe gjashtë barazime.
Gjiganti katalunas e dominoi takimin e tyre ndaj Malagas për plot 90 minuta duke krijuar shumë raste, por duke i shënuar vetëm dy gola.
Goli i parë i ndeshjes erdhi në minutën e 15-të, ku pas një harkimi perfekt të Jordi Albas, Luis Suarez shënoi një gol të bukur me kokë për 0-1.
Pas këtij goli, Barcelona nuk u ndal duke gjetur edhe golin e 0-2 me anë të Philippe Coutinhos (28′), i cili shënoi me thembër pas asistimit të Ousmane Dembeles.
Deri në fund të pjesës së parë krejt çfarë vlen të përmendet është ndëshkimi me të kuq i Samuel Garcia (30′), i cili bëri një ndërhyrje të ashpër ndaj Albas.
Në pjesën e dytë, Barcelona arriti ta menaxhoj mirë epërsinë dhe të krijoj disa raste për gol, por shifrat mbetet të pandryshuara dhe në fund fituan me rezultat 0-2.
Pas kësaj fitore Barcelona vazhdon e pamposhtur në vendin e parë me 71 pikë, 11-të më shumë se Atletico Madridi një pozitë më poshtë (skuadra e Diego Simeones ka një ndeshje më pak).
Malaga renditet e fundit në tabelë me 13 pikë. Ndeshja e ardhshme e klubit katalunas është Athletico Bilbaos, kurse Malaga udhëton te Celta Vigo. /Telegrafi/
https://twitter.com/BUniversalVid/status/972563137688952833
https://twitter.com/BUniversalVid/status/972566530272702464