Telegrafi

Barcelona do të përjashtohet nga Liga e Kampionëve për një vit?

Hetuesit e UEFA-s kanë vendosur ta ndalojnë Barcelonën të luajë në Ligën e Kampionëve për një sezon, sipas mediumit spanjoll ABC.

Prej kohësh është përfolur se Barcelona mund të ndalohet nga pjesëmarrja në garat e UEFA-s. Gjithçka e ka fajin “Rasti Negreira”, i cili në fillim të vitit ngriti shumë pluhur në botën e sportit.

Bëhet fjalë për një rast në të cilin Barcelona u akuzua për korrupsion dhe ryshfet të gjyqtarëve pasi u zbulua se i paguan shuma të mëdha parash ish-zëvendëspresidentit të Komitetit Teknik të Gjyqtarëve të La Ligës, Jose Maria Enrique Negreira.

Sipas El Mundo, kampionët e rinj spanjollë i paguan Negreiras një shumë totale prej rreth 7 milionë euro nga 2001 deri në 2018.

Kjo periudhë përfshin edhe sundimin e presidentit aktual të klubit, Joan Laporta, i cili në mënyrë të përsëritur mohoi atë që ishte bërë, duke thënë se pagesat kishin të bënin me punë konsultimi për gjyqtarët.

Lexo po ashtu La Liga do të japë javën e ardhshme vendimin për lejen e Barcelonës për të nënshkruar me lojtarë të rinj

Më pas UEFA njoftoi fillimin e një hetimi kundër Barcelonës dhe fundjavën e kaluar Mundo Deportivo deklaroi se përjashtimi i Barcelonës nga Evropa në baza të përkohshme është një nga tre dënimet e mundshme me të cilat mund të përballet klubi katalanas.

Sot ABC raportoi ekskluzivisht se dy hetues të UEFA-s, përkatësisht Jean Samuel Leuba dhe Mirjam Koller Trunz, arritën në përfundimin se Barcelona duhet të ndalohet të luajë ndeshje evropiane për një vit.

Por mediumi i njohur Sporti me bazë në Barcelonë, shumë i afërt me klubin e Barcelonës, është kundërpërgjigjur menjëherë dhe ka theksuar se janë të bindur se nuk do të ketë sanksione për sezonin e ardhshëm të Ligës së Kampionëve.

Sido që të jetë, Barcelona me siguri do të përballet me një dënim të madh. /Telegrafi/