Telegrafi

Barcelona ‘shkatërron’ Espanyolin, Messi shënon het-trik (Video)

Barcelona ka fituar ndaj Espanyolit në derbin lokal të Katalunisë me rezultat 5-0 falë het-trikut të yllit kryesor të skuadrës, Lionel Messi dhe një goli të shënuar nga Gerard Pique dhe Luis Suarez. 

Skuadra e Ernesto Valverdes ka arritur të fitoj me lehtësi në derbin e Katalunisë në një ndeshje që është dominuar e gjitha nga ta dhe nën hijen e paraqitjes fantastike të Messit.

Goli i parë i yllit argjentinas erdhi në minutën e 26 të ndeshjes, ku shënoi një gol të bukur për 1-0 pas asistimit të Ivan Rakitic.

Festa e Messit tek goli i parë

Luhej minuta e 35 e ndeshjes kur Messi shënoi përsëri për 2-0, por kësaj radhe pas asistimit të Jordi Albas dhe me këtë gol skuadrat shkuan në pushimin mes dy pjesëve.

Messi duke iu gëzuar golit të dytë

Edhe pjesa e dytë foli në të mirë të Barcelonës dhe Messit, i cili arriti të kompletoj het-trikun dhe të vulos paraqitjen brilante me një gol në minutën e 67 pas asistimit të Albas.

Pas këtij goli të tretë të magjikut argjentinas radha i erdhi edhe mbrojtësit Gerard Pique, i cili shënoi me kokë për 4-0 në minutën e 87 pas asistimit të Rakitc dhe Luis Suarez që shënoi në minutën e 90 pas asistimit të anësorit francez, Ousmane Dembele, i cili debutoi në ndeshje në minutën e 68 të ndeshjes në vend të Gerard Deulofeut.

Momenti i debutimit të Dembeles

Pas kësaj fitore, Barcelona prin e vetme me nëntë pikë pas tri ndeshje dhe takimin e radhës e luan në udhëtim te Getafe, ndërsa Espanyol renditet në vendin e 15 me një pikë dhe e pret Celta Vigon në shtëpi. /Telegrafi/