Site icon Telegrafi

Barcelona ‘shkatërron’ Chapeconesen, fiton trofeun Gamper (Video)

Barcelona ka fituar ndaj Chapecoenses me rezultat të thellë 5-0 dhe ka fituar trofeun Gamper, i cili zhvillohet në nder të legjendës Joan Gamper.

Gjiganti katalunas luan çdo vit në fillim të gushtit ndeshjen për trofeun Gamper, ndërsa kësaj radhe kishte zgjedhur skuadrën braziliane, Chapecoensen, për ta nderuar dhe ndihmuar pasi në fund të vitit të kaluar pësuan aksident ajror ku vdiqën gati gjithë futbollistë dhe stafi i skuadrës.

Të gjithë së bashku para fillimit të ndeshjes

Goli i parë i ndeshjes erdhi në minutën e gjashtë, ku anësori spanjoll, Gerard Deulofeu shënoi për 1-0 pas një aksioni perfekt nga Barcelona.

Festa tek goli i Deulofeut

Nuk vonoi shumë dhe ishte Sergio Busquets, i cili shënoi në minutën e 11 një supergol për 2-0 nga një distancë prej rreth 25 metrave.

Listës së golashënuesve në pjesën e parë iu bashkua edhe Lionel Messi, i cili shënoi një gol të bukur për 3-0 dhe me këtë rezultat u mbyll pjesa e parë.

Në minutën e 35 të ndeshjes ishte një rast i prekshëm, kur lojtari i shpëtuar nga tragjedia ajrore, Alan Ruschel, u zëvendësua dhe i gjithë stadiumi e duartrokiti.

Ruschel u duartrokit nga të gjithë tifozët

Në pjesën e dytë, Barça vazhdoi dominimin dhe gjeti shpejt golin e katërt me anë të Luis Suarez, i cili shënoi në minutën e 55 për 4-0 pas një asistimi të mirë nga Messi.

Messi-Suarez, dy nga golashënuesit e sotëm

Ylli argjentinas mori pjesë edhe në golin e pestë, pasi asistoi tek goli i Denis Suarez për 5-0, gol ky që vulosi fitoren e thellë të Barcelonës.

Me këtë fitore, Barcelona fiton edhe kësaj radhe trofeun Gamper, i cili mbahet në nder të legjendës Joan Gamper. /Telegrafi/

Exit mobile version