Telegrafi

Barcelona po e konsideron ish-yllin e Real Madridit si zëvendësues të Vitor Roques

Barcelona do të vendosë gjatë javëve në vazhdim nëse talenti brazilian Vitor Roque do të mbetet pjesë e tyre apo do të largohet në formë huazimi këtë verë.

Roque ka hasur në vështirësi që të marrë minuta nën urdhrat e Xavit sezonin e kaluar dhe nëse situata e tij mbetet e njëjta edhe pas ardhjes së Hansi Flick, me shumë gjasë ai do të largohet përkohësisht në drejtim të një ekipi tjetër ku mund të luajë rregullisht.

Në rast se Roque shitet, me shumë gjasas Barcelona do ta kërkojë zëvendësuesin e tij, një lojtar i cili nuk do t’i kushonte shumë pasi ata kanë prioritet përforcimin në pozita të tjera.

Sipas Diario AS, njëri nga lojtarët që ata e pëlqejnë si zëvendësues të Roques është sulmuesi i Getafes, Borja Mayoral i cili kishte shënuar 17 gola në La Liga sezonin e kaluar para se të pësonte një lëndim në gju.

Lexo po ashtu Zbulohen fanellat më të shitura të Barcelonës – emra befasues në treshe

Mayoral është i vlerësuar nga bordi i Barcelonës për aftësitë e tij për finalizimin e aksioneve dhe mendojnë se do të ishte një opsion i dytë shumë i vlefshëm pas Robert Lewandowskit.

Sidoqoftë, gjendja e vështirë financiare e blaugranasve mund ta parandalojë këtë transferim që të ndodhë, pasi Getafe raportohet se do të kërkojë më shumë se 10 milionë euro për ta shitur lojtarin që e transferuan nga Real Madridi në vitin 2022.

27-vjeçari është produkt i akademisë së Real Madridit dhe me fanellën e tyre kishte zhvilluar 33 ndeshje duke shënuar shtatë gola dhe duke bërë katër asistime./Telegrafi/