Barcelona pritet të hyjë në treg verën e ardhshme në kërkim të një mesfushori të ri.
Për shkak të problemeve financiare me të cilat është duke u ballafaquar klubi katalan, ata mund të nënshkruajnë vetëm me Oriol Romeun në vitin 2023 dhe një lojtar më i ri në moshë po kërkohet nga bordi i klubit.
Xavi Hernandez ka qenë gjithmonë një tifoz i Martin Zubimendit të Real Sociedad. Barcelona eksploroi mundësinë e nënshkrimit të 24-vjeçarit gjatë verës, por shpejt u tërhoqën për arsye financiare, megjithatë, duket se blaugranasit do të tentojnë përsëri transferimin e tij.
Mediumi katalan Sport ka raportuar se Barcelona është e përgatitur të bëjë përpjekje për të nënshkruar me Zubimendin verën e ardhshme. Sociedadi në anën tjetër thuhet se nuk do të negociojë në asnjë rrethanë, kështu që klauzola e tij e lirimit prej 60 milionë euro do të duhet të aktivizohet në mënyrë që të arrihet një marrëveshje.
Zubimendi shihet si një nënshkrim strategjik nga Barcelona. Ai është ende i ri, kështu që mund të luajë në ekipin e parë edhe për shumë vite, por ai ka dëshmuar veten në nivelin më të lartë gjitashtu.
Sidoqoftë, mbetet të shihet nëse do të ketë ndonjë përmirësim sa i përket aspektit financiar tek Barcelona, përndryshe një transferim i tillë do të ishte i papërballueshëm për ta./Telegrafi/