Barcelona ka arritur të fitojë ndeshjen kthyese ndaj Espanyolit 2-0 për tu kualifikuar në gjysmëfinalen e ‘Copa del Rey’
Espanyoli kishte befasuar Barcelonën një javë më parë duke e mposhtur me rezultat minimal 1-0.
Në takimin e parë të Copa del Rey, Lionel Messi kishte humbur penalltinë duke i mundësuar fitoren vendasve.
E në takimin kthyes Barcelona u paraqit me tjetër fytyrë duke shkëlqyer nga fillimi i ndeshjes.
Vetëm pas nëntë minutave lojë, Barcelona kaloi në epërsi 1-0.
Ishte Aleix Vidal që asistoi bukur në zonë dhe Luis Suarez shënoi me kokë për epërsinë e hershme.
Në minutën e 25-të erdhi edhe goli i dytë për skuadrën e Ernesto Valverdes.
I jashtëzakonshmi Lionel Messi shënoi një gol të bukur nga distanca për të sjellë qetësi në ‘Camp Nou’.
Me rezultatin 2-0 në të mirë të Barcelonës përfunduan edhe 45 minutat e para të kësaj sfide.
Në pjesën e dytë Barcelona e administroi mirë lojën duke qarkulluar topin dhe duke mbrojtur rezultatin.
E në minutën e 68-të erdhi momenti edhe për debutimin e yllit brazilian, Philippe Coutinho.
Mesfushori brazilian që iu bashkua Barcelonës nga Liverpooli u inkuadrua në lojë në vend të Adnres Iniestas.
Tifozët e pranishëm të cilët ishin rreth 80 mijë, e pritën me entuziazëm të madh hyrjen në ndeshje të Coutinhos.
Me rezultatin 2-0 në të mirë të Barcelonës përfunduan 90 minutat në ‘Camp Nou’.
Edhe pse Espanyol kishte triumfuar minimalisht 1-0 në ndeshjen e parë, Barcelona kalon tutje me rezultat të përgjithshëm 2-1.
Në gjysmëfinale Barcelona do të përballet me skuadrën që eliminoi Real Madridin, Leganes. /Telegrafi/
https://www.youtube.com/watch?v=iKtWot3PJQ4
https://www.youtube.com/watch?v=f9a5L-uy8SQ
https://www.youtube.com/watch?v=ro2u1S7Xrl4