Barcelona ka fituar në shtëpi ndaj Leganes me rezultat 3-1 në ndeshjen e vlefshme për javën e 31-të të La Ligas.
Skuadra e Ernesto Valverdes ka vazhduar pa humbje në këtë kampionat, teksa Barcelona ka barazuar rekordin prej 38 ndeshjeve radhazi pa humbje në La Liga, i cili mbahej nga Real Sociedadi.
Goli i parë i ndeshjes erdhi në minutën e 27-të të ndeshjes dhe ishte ylli i skuadrës, Lionel Messi, i cili shënoi një supergol nga goditja e lirë për 1-0.
Ylli argjentinas doli në pah edhe në minutën e 32-të duke shënuar golin e dytë personal për epërsinë 2-0 pas asistimit të Philippe Coutinhos dhe me këtë rezultat skuadrat shkuan në pushim.
Në pjesën e dytë, u zhvillua lojë më e barabartë dhe të dyja skuadrat arritën të shënojnë nga një gol.
Ishin mysafirët e Leganes, të cilët arritën të kthehen në lojë duke shënuar me anë të Nabil El Zhar (68′) për të ngushtuar epërsinë në 2-1.
Megjithatë, në fund të lojës u shfaq përsëri Messi, i cili shënoi për 3-1 duke kompletuar het-trikun dhe duke vulosur rezultatin përfundimtar të ndeshjes.
Pas kësaj fitore, katalunasit kanë 71 pikë në vendin e parë, ndërsa Leganes renditet në pozitën e 14-të me 36 pikë.
Në ndeshjen e radhës, Blaugranët e presin Valencian në Camp Nou, ndërsa Leganes luajnë po ashtu në shtëpi ndaj Celta Vigos. /Telegrafi/