Përveç se ndodh ndonjë komplikim në minutat e fundit, trajneri i Barcelonës, Xavi Hernandez, do të mirëpres në ekip dy lojtarë të rëndësishëm para duelit me Paris Saint-Germainin në çerekfinale të Ligës së Kampionëve të mërkurën.
Frenkie De Jong, Pedri dhe Andreas Christensen morën pjesë në një ndeshje stërvitore së bashku me pjesën tjetër të bashkëlojtarëve në mëngjesin e së shtunës, e cila u përdor si një mënyrë për të testuar gjendjen e tyre fizike para udhëtimit në Paris.
De Jong dhe Christensen e kaluan këtë test pa asnjë problem, dhe që të dy kanë marrë dritën e gjelbër nga stafi mjekësor për të luajtur ndaj PSG-së javën e ardhshme, raporton Diario AS.
Sidoqoftë, e njëjta nuk mund të thuhet edhe për Pedrin. 21-vjeçari nuk ishte në gjendje që të kompletojë seancën stërvitore, që do të thotë se mungesa e tij është pothuajse e pashmangshme.
Barcelona nuk do të rrezikojë procesin e tij të rikuperimit, dhe janë të gatshëm të udhëtojnë në Paris pa të.
Pritshmëritë ishin që edhe nëse Pedri është i gatshëm, ai nuk do të startonte në ndeshjen ndaj Parisit.
Megjithatë, lajmi për rikthimin e De Jong dhe Christensen është një gjë pozitive për Xavin pasi që të dy me gjasa do të luajnë nga minuta e parë në mesfushë në atë ndeshje./Telegrafi/