Telegrafi

Barcelona lëshon komunikatë zyrtare pas botimit të lajmin mbi kontratën e Messit

Barcelona ka lëshuar një deklaratë, duke mohuar çdo përgjegjësi të botimit të dalë në shesh nga mediumi El Mundo në lidhje me kontratën marramendëse të yllit të skuadrës, Lionel Messi.

Gazeta spanjolle El Mundo zbuloi në mënyrë të bujshme detajet e kontratës marramendëse të Messit me fitime prej 555,237,619 euro në katër sezone.

Marrëveshja e tij katër-vjeçare në Camp Nou përfshinte një bonus nënshkrimi prej 115,225,000 eurosh për pranimin e rinovimit fillestar dhe një bonus të madh besnikërie prej 77,929,955 eurosh.

Pas këtyre lajmeve që kanë trazuar jo pak spektrin sportiv, e në veçanti Messin, Barcelona ka dalë me një deklaratë ku ka mohuar përfshirjen në këtë botim.

Klubi katalunas gjithashtu ka bërë që qartë që Messi ka mbështetjen absolute, ndërsa do të ndiqen rrugët ligjore kundër gazetës El Mundo.

“FC Barcelona kategorikisht mohon çdo përgjegjësi për botimin e këtij dokumenti dhe do të ndërmarrë veprime të duhura ligjore kundër gazetës El Mundo, për çdo dëm që mund të shkaktohet si rezultat i këtij botimi”.

“Klubi shpreh mbështetjen e tij absolute për Messin, veçanërisht përpara çdo përpjekje për të diskredituar imazhin e tij dhe për të dëmtuar marrëdhënien e tij me njësinë ekonomike ku ai ka punuar për t’u bërë lojtari më i mirë në botë dhe në historinë e futbollit”, thuhet në komunikatë.

Ndryshe, marrëveshja aktuale e Messit skadon në fund të sezonit dhe 33-vjeçari është lidhur me një lëvizje në Manchester City dhe Paris Saint-Germain. /Telegrafi/