Site icon Telegrafi

Barcelona i kishte në dorë Mbappen dhe Haalandin – si u humbën për faj të Dembeles dhe Suarezit

Kylian Mbappe dhe Erling Haaland mund të kishin qenë shokë skuadre te Barcelona, ka zbuluar ish-anëtari i bordit të katalanasve, Javier Bordas.

Sipas këtij të fundit, Barcelona kishte paratë për të transferuar Mbappen nga Monaco në momentin që shitën Neymar te Paris Saint-Germain për 222 milionë euro, por drejtuesit zgjodhën Ousmane Dembelen.

Bordas po ashtu ka shpjeguar edhe situatën e Erling Haaland, por sipas tij në atë periudhë ishte Luis Suarez sulmues kryesor dhe nuk kishte vend për të tjerë.

“Nëse do të më dëgjonin tani Barcelona do të kishte në skuadër Mbappen. Fituam 222 milionë nga shitja e Neymar dhe i kishim paratë për të transferuar Mbappe, që do të na kushtonte 130 milionë euro plus bonuse”.

Lexo po ashtu Xavi pyetet për shanset që ka Barcelona për transferimin e Mbappes

“Lojtari do të fitonte diku te 10 deri në 16 milionë euro. Por, drejtuesit preferuan Dembele. Unë fola edhe me babain e lojtarin dhe ai ishte gati të vinte në Barcelona, mendova se do e transferonim, por nuk u bë”.

“E njëjta histori edhe me Haaland. Ai dëshironte transferimin në Spanjë te Barcelona. Kushtonte 20 milionë euro nga RB Salzburgu, ndërsa 20 të tjera do të shkonin për agjentin, Mino Raiola. Ai kishte “shpërthyer”, por ishte Suarez në skuadër dhe stafi teknik vendosi të mos e transferonte”, ka treguar Bordas.

Barcelona aktualisht është në vështirësi financiare dhe nuk po arrin të ofrojë yje me shuma të mëdha. /Telegrafi/

Exit mobile version