Sergino Dest pritet të jetë ndër lojtarët e parë që do të largohet nga Barcelona gjatë afatit kalimtar të verës.
Mbrojtësi amerikan ka humbur vendin e titullarit pasi trajneri Xavi Hernandez për atë pozitë preferon lojtarët si Dani Alves dhe Sergi Roberto.
Gjithsesi largimi i tij në verë nga Barcelona duket mëse i sigurt, pasi për lojtarin interesim kanë shprehur disa skuadra.
Chelsea, Bayern Munich, Borussia Dortmund, Arsenal e Roma janë disa nga skuadrat e interesuara për lojtarin, por vetëm një ka bërë ofertë zyrtare.
Është skuadra franceze Monaco që ka bërë një ofertë zyrtare prej 20 milionë eurove dhe po pret përgjigjen e Barcelonës.
Mundo Deportivo ka raportuar se katalunasit janë gati ta shesin amerikanin, por po presin ndonjë ofertë më të lartë deri në verë.
Gjithsesi largimi i mbrojtësit anësorë nga Camp Nou duket mëse i sigurt dhe mbetet të shihet vetëm skuadra e ardhshme e tij. /Telegrafi/