Barcelona do ta festojë 129-vjetorin e krijimit të klubit edhe pak kohë. Një event është paraparë që të mbahet më 29 nëntor dhe ideja e klubit është që t’i ftojë disa emra të mëdhenj për ta festuar atë.
Planifikimet për këtë festë kanë qenë duke u bërë tash e disa vite. Barcelona kishte shpresuar se do të riktheheshin në kohë për ta bërë këtë në stadiumin e rinovuar ‘Camp Nou’, por rikthimi atje është shtyrë për një afat tjetër (prill 2025 më së largu).
Siç ka raportuar Relevo, Lionel Messi do të jetë njëri prej personave të cilëve do t’i dërgohet ftesa për të marrë pjesë në këtë ngjarje festive për klubin.
Një letër do t’i dërgohet së shpejti argjentinasit në të cilën do t’i kërkohet që ta konfirmojë pjesëmarrjen e tij.
Megjithatë, nuk ka asnjë garanci se Messi do të jetë në gjendje të marrë pjesë pasi Inter Miami mund të jetë i angazhuar në play-offin e MLS.
Në rast se kjo ndodh dhe Messi nuk arrin që të jetë prezent fizikisht, atëherë ata me gjasë do t’i kërkojnë legjendës së tyre që t’i drejtohet tifozëve përmes një videomesazhi./Telegrafi/