Site icon Telegrafi

Barcelona fiton vetëm në vazhdime trilerin ndaj Granadas, kalon në gjysmëfinale të Copa del Rey

Barcelona ka fituar në vazhdime me rezultat 3-5 nga Granada në ndeshjen çerekfinale të Copa del Rey, pasi ndeshja e rregullt u mbyll baras 2-2. Me këtë fitore katalunasit kanë siguruar kalimin në gjysmëfinale.

Klubi katalunas është befasuar keq nga Granada, por në fund ka marrë fitoren e cila ia ka siguruar kualifikimin në gjysmëfinale të Copa del Rey.

Pjesa e parë e ndeshjes u dominua e gjitha nga Barcelona, por ishin vetëm vendasit që arritën të gjejnë golin.

Goli i vetëm në këtë pjesë erdhi në minutën e 34-të dhe ishte Kenedy, i cili shënoi për 1-0 pas asistimit të Alberto Soro.

Në pjesën e dytë, përsëri u zhvillua lojë e njëjtë, me Barcelonën që krijonte pa fund, por Granadan gjeti golin e para dhe katalunasit vetëm në fund shënuan dy gola.

Ishte Roberto Soldado (47’), i cili shënoi për 2-0 pas një kundërsulmi, duke befasuar keq Barcelonën.

Pas këtij goli, Barcelona u hodh e gjitha në sulm në tentim të golit duke krijuar disa raste ideale deri sa në fund arriti t’i shënojë dy gola.

Fillimisht në minutën e 88-të ishte Antoine Griezmann, i cili shënoi për 2-1, ndërsa Jordi Alba (90+) shënoi për 2-2 dhe dërgoi ekipet në vazhdime.

Në vazhdime u tregua lojë e hapur nga të dyja skuadrat që arritën ta shënojnë nga një gol në pjesën e parë, ndërsa në pjesën e dytë shënoi vetëm Barcelona dy gola dhe siguroi fitoren.

Griezmann (100′) shënoi për 2-3, rezultat që u barazua në 3-3 nga Fede nga penalltia (103′).

Në pjesën e dytë të vazhdimeve ishte Frenkie de Jong (108′) që shënoi për 3-4, ndërsa Alba vulosi fitoren 3-5.

Me këtë fitore, Barcelona e siguron kualifikimin në gjysmëfinale të Copa del Rey apo e njohur ndryshe edhe si Kupa e Mbretit. /Telegrafi/

 

 

Exit mobile version