Telegrafi

Barcelona fiton klasiken e parë të sezonit, mposht Real Madridin në Amerikë – spikatin yjet e akademisë

Barcelona ka fituar me rezultat 2-1 ndaj Real Madridit në miqësoren e zhvilluar në ‘MetLife Stadium’ në qytetin e New Jerseyt.

Ndeshja e cili nisi sipas orarit të caktuar (01:00) u ndërpre pas vetëm 13 minutash lojë për shkak të reshjeve atmosferike, dhe më pas rifilloi sërish rreth orës 02:30.

Hansi Flick edhe kësaj radhe kishte vendosur që t’i besojë yjeve të akademisë, të cilët edhe kësaj here nuk dëshpëruan dhe dhuruan paraqitje fantastike.

Pau Victor ishte vendimtar në këtë takim me dy golat e shënuar të cilët i dhanë fitoren Barcelonës ndaj rivalit të përbetuar.

Fillimisht ai shënoi në minutën e 42-të për rezultatin 1-0 në portën e boshatisur pas asistimit të Robert Lewandowskit.

Për rezultatin 2-0, Victor shënoi në minutën e 52-të të takimit, pas një aksioni të rrjedhshëm dhe një topi që përfundoi në këmbët e Alex Valles i cili bëri një asistim fantastik.

Real Madridi në anën tjetër pati disa gjysmëraste, por pa arritur që të krijojë ndonjë mundësi të pastër shënimi.

‘Los Blancos’ ia dolën që të shënojnë në mundësinë e parë serioze në pjesën e dytë, dhe këtë e arritën përmes Nico Paz, i cili në minutën e 82-të realizoi me kokë për 2-1 pas asistimit të Guler.

Ky gol nuk ishte i mjaftueshëm për të evituar humbjen, pasi Barcelona ia doli ta menaxhojë mirë epërsinë për të marr triumfin./Telegrafi/