Site icon Telegrafi

Barcelona dhe Atletico luajnë baras në derbin e javës, Real Madridi mund ta shfrytëzojë këtë hap fals të rivalëve

Barcelona është ndalur në shtëpi nga Atletico Madridi duke barazuar me rezultat 0-0 në ndeshjen derbi të vlefshme për javën e 35-të në La Liga.

Katalunasit nuk kanë arritur të mposhtin Atleticon dhe ta marrin pozitën e parë në tabelë, ndërsa me një barazim mund t’i kenë bërë favor edhe rivalëve të Real Madridit.

Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me lojë thuajse të barabarta, me të dyja skuadrat që patën rastet e veta për gol.

Vendasit rrezikuan me anë të Lionel Messi (41’), ndërsa mysafirët me anë të Angel Correa (19’) dhe Yannick Carrasco (37’), por shifrat mbeten të pandryshuara.

Në pjesën e dytë, Barcelona ishte dukshëm më e mirë, duke menaxhuar lojën dhe duke krijuar shumë raste për gol.

Barcelona provoi me anë të Messit (66’, 90’) dhe Ronald Araujo (70’), por goditjet e të parit nga gjuajtjet e lira shkuan jashtë, ndërsa goli i shënuar nga i dyti u anulua për pozitë jashtë loje.

Deri në fund, Barcelona nuk u dorëzua në kërkim të golit, por edhe përkundër rasteve portat mbeten të paprekura dhe ndeshja u mbyll me barazim 0-0.

Pas këtij barazimi, Atletico mbetet e para me 77 pikë apo dy më shumë se Barcelona e dyta, ndërsa Reali i treti me një ndeshje më pak ka 74 pikë.

Në ndeshjen e radhës, Atletico e pret Real Sociedadin, ndërsa Barcelona udhëton te Levante. /Telegrafi/

Exit mobile version