Telegrafi

Barcelona barazon shifrat me De Jong, mbyllet pjesa e parë

Barcelona ka arritur të barazojë rezultatin në 1-1 ndaj Real Madridit në kuadër të gjysmëfinales së Superkupës së Spanjës, rezultat me të cilin u mbyll pjesa e parë.

Ndeshja nisi më mirë për mbretërit që ishin më të rrezikshëm dhe më të mirë në posedimin e topit.

Goli erdhi në minutën e 25-të të ndeshjes, kur Karim Benzema asistoi bukur te Vinicius Junior i cili me shpejtësi futet në zonë, gjuan dhe shënon për 1-0.

Pas pranimit të golit, Barcelona u zgjua, duke filluar të rrezikojë portën e Thibaut Courtois.

Ishte Luuk de Jong që rrezikoi me kokë në minutën e 32-të, por portieri belg ishte në vend.

Në minutën e 41-të, Ousmane Dembele, arriti të bëjë disa lëvizje të bukura, por goditja e tij u ndal nga mbrojtja.

Goli i barazimit erdhi në minutën e 42-të, kur Luuk de Jong arriti të shënojë nga afër për 1-1.

Skuadrat shkuan në pushim pas një pjesë të parë të mirë. /Telegrafi/