Atletico Madridi e ka bërë atë që rrallëkush e priste – e ka eliminuar Barcelonën nga Liga e Kampionëve.
Ndeshja e parë çerekfinale e zhvilluar në Camp Nou përfundoi me rezultat 2-1, ndërsa sfida në Vicente Calderon u mbyll me rezultat 2-0 për ekipin kryeqytetas që shkon në gjysmëfinale me rezultat të përgjithshëm prej 3-2.
Skuadra nikoqire bëri paraqitje shumë të mirë në gjysmën e parë duke e mbajtur vazhdimisht në presion kundërshtarin.
Sa herë që katalunasit e kishin topin, Los Rojiblancos angazhoheshin për ta rrëmbyer atë dhe menjëherë shkonin në fazën ofensive.
Dhe falë këtij angazhimi, erdhi goli i epërsisë. Saul dërgoi një harkim fantastik në zonë, ku e priti Antoine Griezmann për të shënuar me kokë (36’).
Në gjysmën e dytë, vendasit rrezikuan përmes Lucas, mirëpo shtylla i doli në mbrojtje portierit Ter Stegen.
Nga ky moment, Blaugranët e dominuan lojën duke e kërkuar me ngulm golin me sulme të njëpasnjëshme, por të zgjedhurit e Diego Simeones mbaheshin në fazën defensive.
Mirëpo, derisa katalunasit po sulmonin, nga një kundërsulm i vendasve, Iniesta e ndali topin me dorë brenda zonës dhe u akordua penalti. Antoine Griezmann ishte i saktë nga pika e bardhë për golin e dytë (88’).
Në vazhdim, Barcelona nuk mundi të bënte asgjë, pos një momenti të dyshimtë pranë zonës që u gjykua si gjuajtje e lirë, ndërsa Messi goditi përmbi portë. Në këtë mënyrë, ekipi i Luis Enriques u eliminua nga gara më e madhe evropiane.
Atletico Madridi i bashkohet Real Madridit, Bayern Munichut dhe Manchester Cityt në gjysmëfinale, ndërsa të premten tërhiqet shorti për duelet e katër të fundit të Ligës së Kampionëve. /Telegrafi/