Barcelona ka shënuar fitore të thellë në shtëpi ndaj Celta Vigos me rezultat 5-0.
Djelmoshat e Luis Enriques janë treguar të pamëshirshëm ndaj Celtas, duke e mposhtur me rezultat të thellë, dhe duke marr një fitore shumë të merituar e cila i kthen në pozitën e parë në La Liga.
Serinë e golave e hapi ylli i skuadrës, Lionel Messi, i cili shënoi një supergol nga distanca minutën e 24 pas asistimit të Sergio Busquets.
Messi ndikoi edhe në golin e dytë, pasi asistoi për mrekulli për Neymar, i cili me parabolë mposhti portierin kundërshtar në minutën e 40 dhe me rezultat 2-0 skuadrat shkuan në pushim.
Në pjesën e dytë, Barcelona shënoi edhe tre gola të shpejta për ta siguruar fitoren e thellë ndaj Celtas.
Fillimisht ishte kroati Ivan Rakitic, që shënoi nga afërsia në minutën e 57 pas asistimit të Rafinhas, por pozita e tij ishte e dyshimtë.
Në minutën e 61 të ndeshjes i erdhi radha mbrojtësit francez, Samuel Umtiti, i cili shënoi me asistimin e Messit për 4-0.
Luhej minuta e 64 kur argjentinasi Messi shënoi edhe një gol të bukur për 5-0, pasi më parë dribloi dy futbollistë kundërshtar.
Deri në fund të ndeshjes, Barça pati edhe disa raste të tjera, por rezultati mbeti i pandryshuar dhe në fund e mori këtë fitore të thellë e cila e rikthen në pozitën e parë me 60 pikë apo një më shumë se Reali që ka një ndeshje më pak, ndërsa Celta renditet në vendin e 10 me 35 pikë. /Telegrafi/
https://twitter.com/luis_mora22/status/838120120853516289