Telegrafi

Barca e qartë: Nuk ka rritje page për Neymar, topi në anën e tij

Barcelona ka bërë të ditur se nuk do t’ia rrisë pagën Neymarit që e mori në rinovimin e fundit të tij dhe se tash topi për të ardhmen mbetet në anën e lojtarit.

El Mundo Deportivo raporton se drejtori Raul Sanllehi ka qenë në Brazil për të biseduar me sulmuesin dhe babain e tij dhe se nuk ka mbetur asgjë për të thënë, sepse secila fjalë e rinovimit është diskutuar. Edhe presidenti Josep Maria Bartomeu ka qenë në kontakt me Sanllehin dhe Neymarin.

Barca nuk i ka dhënë Neymarit ultimatum, shkruan Telegrafi, por nuk do të ketë rritje page për të dhe Neymar duhet të rinovojë nëse do me termat aktualë, në të kundërtën mund të largohet nëse thyhet klauzola e tij prej 190 milionë eurosh.

LIVE: Transferimet minut mas minute të gjitha spekulimet dhe zyrtarizimet

Paris Saint-Germain dhe Manchester United kanë shprehur gatishmërinë që të paguajnë klauzolën e Neymar, si dhe t’i ofrojnë pagë mbi 20 milionë euro, duke i dhënë më shumë se që i ofron Barca, 15 milionë euro.

Barca dëshiron që të mbajë harmoninë në klub dhe strukturën e pagave, kështu që klubi katalanas nuk do të lejojë përçarje në rast se Neymar bëhet më i paguar se Messi, pasi askush nuk mund të jetë më i paguar se argjentinasi.

Po ashtu, Barca i ka bërë thirrje Neymarit që të vendosë sa më shpejt, në mënyrë që të ndërpriten konfuzionet në mesin e fansave. /Telegrafi/