Disa banorë të cilët jetojnë në rrugën Hoshemin në Lagjjen Butel 1, kanë mbajtur sot protestë paqësore kundër vendimit të Qytetit të Shkupit për zgjerimin e rrugës “Boca Ivanova”, e cila duhet të shtrihet nga rreth-rrotullimi deri në bulevardin Hristijan Todorovski Karposh dhe të kalojë përpara shtëpive të tyre. Siç bëjnë të ditur banorët, ata për një kohë të gjatë kanë kërkuar nga Qyteti i Shkupit, që të zhvendoset rruga për disa metra që të mos shkatërrohen oborret, por sipas tyre, këto kërkesa kanë hasur në vesh të shurdhur.
Ndërkaq, në këtë protestë ishte i pranishëm edhe kryetari i Komunës së Butelit, Darko Kostovski, i cili deklaroi se nuk do të lejojë siç tha Kostovski, mafia urbane të veprojë sërish në Butel dhe as që qytetarët paqësorë të kësaj komune të trajtohen si kriminelë.
“Gjyshja Nevena, axha Mustafa dhe axha Kirill nuk janë kriminelë, janë banorë të ndershëm që nuk kanë pasur kurrë probleme me ligjin. Sot me kënaqësi iu bashkova protestës së organizuar nga banorët e rrugës Hoshemin, gjatë fushatës para zgjedhjeve u premtova se do të luftoj kundër mafies urbane dhe do të bëj çmos për të ruajtur mënyrën e tyre të qetë të jetesës”, tha Darko Kostovski, kryetar i Komunës së Butelit.
Përndryshe, Komuna e Butelit gjatë ditës së sotme, i ka dërguar një letër Qytetit të Shkupit në të cilën, kanë shprehur përkrahje për iniciativën e qytetareve. Komuna kërkon që qyteti i Shkupit të zhvendosë trasenë e rrugës së qytetit, ose në marrëveshje me qytetarët të gjejë një zgjidhje të përbashkët./Shenja/