Site icon Telegrafi

Banorët e rajoneve të vërshuara nuk do ta lëshojnë konviktin, s’kanë ku të shkojnë

Ministria e Punës dhe Politikës Sociale (MPPS), ka sjellë vendim që deri më 31 mars të largohen nga konvikti “Tome Stefanovski-Seniç” të gjithë banorët e lagjeve të vërshuara, pasi sipas tyre, banorët tani mund të kthehen në shtëpitë e tyre, shkruan gazeta Koha. Mbi 100 familje nga rajonet e vërshuara, Hasanbegu, Haraçina dhe Stajkovci, u vendosën në konvikt. Muaj më parë atyre iu vazhdua qëndrimi nga ana e shtetit, kurse te premten duhet ta lëshojnë konviktin. Banorët janë të revoltuar nga ky vendim pasi, sipas tyre, nuk kanë se ku të kthehen sepse shtëpitë i kanë ende të pa banuara.

“Le të vijë Komisioni të më merr mua të shkojmë bashkë dhe ta shohim shtëpinë se ku do të jetojë unë nëse më largojnë nga këtu. Unë a nuk dëshiroj të shkoj në shtëpinë time? Për momentin e vetmja gjë që dua është të ma rregullojnë shtëpinë dhe pastaj të largohem vet nga këtu”, thotë për Koha, Vasfije Fazliovska, banore e Hasanbegut.

Edhe të larguarit tjerë nga viset e vërshuara vitin e kaluar, e që gjithashtu qëndrojnë në konviktin e shtetit, shprehen se ende nuk janë krijuar kushtet për kthim në shtëpitë e tyre.

Nga ana tjetër, koordinatori i konviktit Fatmir Gashi, thotë se drejtori i këtij institucioni mbetet në vendimin e prerë se përderisa nuk bëhet edhe njëherë vlerësimi i dëmeve, asnjë banorë nuk do të largohet nga ky konvikt.

Se çfarë vendimi do të merr Ministria e Punës dhe Politikës Sociale për banorët pas skadimit të afatit, ngelet të shihet në ditët në vazhdim.

Exit mobile version