Telegrafi

Banorët e lagjës Ulpiana në Prishtinë në hall me NPB-në, thonë se kompania sjellë faturat mujore pa i përmbushur obligimet 

Në lagjen Ulpiana, më saktësisht në rrugën Mujë Krasniqi, në ndërtesën Ulpiana C7, hyrja 6 banorët po kanë probleme me papastërti.

Tash e shtatë vite, ata posedojnë kontratë me NPB-në, e cila sipas banorëve s’po e bënë punën e saj, transmeton Telegrafi.

Ata thanë se në këtë ndërtesë, NPB në dy muajt e fundit nuk i ka kryer shërbimet në objekt.

“Ky vit ka qenë i tmerrshëm në kuptimin e injorimit total që na ka bërë NPB si banorë duke mos i kryer shërbimet sipas kontratës. Dy muajt e fundit, simodos korriku dhe deri me sot në gusht, NPB nuk i ka pastruar/larë shkallët asnjëherë. Këtë e them në bazë të monitorimit ditor dhe fotografive që i kam bërë që dëshmojnë se shkallët nuk janë pastruar dhe larë asnjëherë gjatë kësaj periudhe”, thanë ata, duke dashur të mbesin anonim.

Sa i përket këtyre problemeve, banorët kanë kontaktuar NPB-në dhe Drejtorinë për Shërbime Publike në Prishtinë, por sipas tyre nga komuna s’janë përgjigjur fare e nga NPB kanë marrë përgjigjje me përmbajtjen ‘ju faleminderit që raportuat”.

“Në e-mailat që iu kemi drejtuar NPB-së si banorë të pakënaqur, e kemi informuar edhe Drejtorinë për Shërbime Publike (me duket Bekim Brestovci). Nuk ka pasur asnjë përgjigje prej tyre, ndërsa nga NPB përgjigjet kanë qenë si psh “faleminderit, do të inpektojmë gjendjen dhe ju falenderojmë për mirëkuptim dhe bashkëpunim”. …Ndërkohë, kjo për mua s’ka kurrfarë vlere sepse NPB nuk është ndalur së sjelluri faturat mujore sikurse asgjë s’ka ndodhur, dhe se ata janë duke i përmbushur obligimet e tyre kontraktuale ndaj klienteve të tyre”, thanë ata shkruan Telegrafi.

Sipas tyre një të moshuari në banesë i kanë kërkuar avans duke e mashtruar, ndonëse shërbimet prap nuk po i kryhen.

“Ne si banorë jemi dakorduar dhe kemi pranuar ta nënshkruajmë kontratën e dytë 7 vjeçare me NPB, përkundër kritikave dhe vërejtjeve të vazhdueshme që i kemi pasur edhe gjatë periudhës/kontratës së parë 3 vjecare, por s’e kemi pritur që situata do të vjen në këtë pikë ku është bërë e padurueshme, …”, shprehen ata.

Gjithashtu, banorët thonë se nëse NPB nuk përmbush kërkesat e banorëve ata do të ndërpresin kontratat.

“Ne i kemi shkruar NPB-së që nëse nuk ndërmarrin masa dhe t’i kryejnë obligimet e tyre kontraktuale karshi klientëve, ne do të inicojmë shkëputje të kontratave”, thanë ata.

Për këtë problem të banorëve të Ulpianës, Telegrafi Prishtinë, ka kërkuar përgjigje nga Ndërmarrja Publike Banesore, por ata nuk e kthyen përgjigjen deri në publikimin e shkrimit. /Telegrafi/