Site icon Telegrafi

Tensione në protestën e banorëve të fshatrave Doganaj dhe Soponicë, kundërshtojnë ndërtimin e hidrocentralit

Foto: Ilustrim

Banorët e fshatrave Doganaj dhe Soponicë të Kaçanikut kanë nisur një protestë mëngjesin e kësaj të marte për të kundërshtuar ndërtimin e hidrocentralit në lumin Lepenc.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, ka bërë të ditur se në protestë po marrin pjesë rreth 20 banorë të zonës.

“Sot, rreth orës 08:10 kemi pranuar një informacion se në mes të fshatrave Doganaj dhe Soponicë, tek ura e lumit Lepenc, ka filluar një protestë nga rreth 20 persona, banorë të zonës, lidhur me pakënaqësinë e ndërtimit të një hidrocentrali që është duke u ndërtuar. Policët e stacionit të Kaçanikut janë në vendin e ngjarjes dhe po monitorojnë situatën”, ka thënë Veseli.

Ai tutje ka konfirmuar se protesta është zhvilluar me tensione pasi banorët kanë tentuar që ta sulmojnë drejtuesin e ekskavatorit.

“Gjatë zhvillimit të protestës, disa nga protestuesit kanë tentuar ta sulmojnë drejtuesin e ekskavatorit të kompanisë ndërtuese, mirëpo ka intervenuar policia. Situata është nën kontroll dhe po merren veprimet policore”, ka deklaruar Veseli.

Sipas protestuesve, ndërtimi i këtij hidrocentrali do të shkaktojë degradim të lumit, derisa protesta ka nisur që nga e hëna.

“Protesta organizohet kundër degradimit të lumit Lepenc nga kompanitë për ndërtimin e hidrocentraleve. Protesta e banorëve do të vazhdojë pa ndërprerë deri në ndërprerjen e plotë të degradimit të lumit”, ka shkruar në llogarinë e tij në Facebook përfaqësuesi i protestuesve, Ibrahim Dolloshi. /Telegrafi/

Exit mobile version