Telegrafi

Banorët ankohen për tunelin në lagjen Dardania, komuna e Prishtinës nuk përgjigjet

Tuneli i cili gjendet në lagjen Dardania në Prishtinë vazhdon të jetë në gjendje të mjerueshme.

Ky tunel përveç se nuk mirëmbahet siç duhet, tashmë në të janë vendosur edhe oxhaku i një lokali i cili është mbi tunel, gjë kjo që është në kundërshtim me ligjin e ndërtimit.

Për ajrin e ndotur dhe gjendjen e tunelit, janë ankuar tash e sa kohë edhe  banorët e lagjes Dardania, por për këtë nuk është ndërmarrë asnjë veprim nga Komuna e Prishtinës, e cila është përgjegjëse për menaxhim dhe planifikim hapësinor. Sipas banorëve komuna është në dijeni për këtë temë por nuk ka reaguar deri tash.

Ndryshe profesori i cili njeh fushën e ndërtimit, Valon Syla në një prononcim për Telegrafin, ka thënë se vendosja e oxhakut brenda tunelit rrezikon shëndetin e banorëve.

“Nuk është e lejuar të vendosen oxhaqet brenda tunelit, kjo është e ndaluar dhe paraqet rrezik për banorët, veturat e ndotin ajrin shumë në tunel dhe oxhaqet ende me shumë, për këtë duhet vepruar inspektorati i Komunës dhe duhet konfiskuar lejet”, tha Syla për Telegrafin.

Lidhur me rastin, Telegrafi ka pritur nga e hëna një përgjigje nga Komuna e Prishtinës, mirëpo këta të fundit nuk i janë përgjigjur thirrjeve të redaksisë për të parë se cili ka qenë hapi i ndërmarrë nga kjo komunë për këtë rast./Telegrafi/