Fitimi i raportuar prej industrisë bankare për tremujorin e parë të vitit 2015 në vlerë prej 20 milionë eurosh, është vlerësuar si astronomik nga njohësit e ekonomisë.
Neto profiti i realizuar deri në mars 2015 shënoi vlerën 19.9 milionë euro, krahasuar me vlerën prej 9.8 milionë eurosh të regjistruar deri në mars 2014. Në raportin e fundit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) thuhet se rritja e profitit është kryesisht rezultat i zvogëlimit të shpenzimeve, përderisa të hyrat shënuan rritje të lehtë.
Labinot Hashani, njohës i kësaj fushe, ka thënë se në kushte normale të një konkurrence shumica e bankave nuk do të kishin fitim kaq të lartë.
Sipas tij, konkurrenca jo e drejtë si dhe ekzistimi i një marrëveshjeje pothuaj të heshtur mes bankave të cilat operojnë në Kosovë në mbajtjen e normës së lartë të interesit për kredi e sjell këtë fitim. /Zëri/Telegrafi/