Telegrafi

Bankat komerciale në Shqipëri fitojnë rreth 177 milionë euro gjatë vitit 2021

Fitimi neto i sektorit bankar të Shqipërisë u rrit në 21.6 miliardë lekë [176.9 milionë euro] në vitin 2021, krahasuar me 16.9 miliardë lekë [137 milionë euro] në vitin 2020.

Sipas Shoqatës Shqiptare të Bankave, fitimi neto rezulton me i larti që prej viti 2017, që duket se është një rikthim i këtij sektori pas pandemisë COVID-19, përcjell Telegrafi.

Në anën tjetër, portofoli i kredisë së bankave u rrit në 671.0 miliardë lekë [5.5 miliardë euro] në fund të dhjetorit nga 608.9 miliardë lekë [4.9 miliardë euro] një vit më parë.

Raporti i kredive me probleme (NPL) ndaj totalit të kredive ra në 5.65 për qind në fund të vitit të kaluar, krahasuar me 8.11 për qind një vit më parë.

Lexo po ashtu Gent Sejko dekretohet për një mandat të dytë si guvernator i Bankës së Shqipërisë

Depozitat në bankat e vendit u rritën në 1,433 miliardë lekë [11.6 miliardë euro] vitin e kaluar krahasuar me 1,286 miliardë lekë [10.5 miliardë euro] në fund të 2020.

Totali i aseteve të bankave u rrit në 1,774 miliardë lekë [14.4 miliardë euro] në fund të dhjetorit, krahasuar me 1,581 miliardë lekë [12.8 miliardë euro] një vit më parë.

Të dhënat përfshijnë raportet financiare të 12 bankave shqiptare.

Banka Kombëtare Tregtare (BKT) është më e madhja mes tyre për sa i përket aseteve. /Telegrafi/