Telegrafi

Bankat, 20 milionë euro fitim për 3 muaj

Profiti i sektorit bankar edhe gjatë tremujorit të parë 2015 shënoi rritje rekorde, krahasuar me vitet paraprake. Neto profiti i realizuar deri në mars 2015 shënoi vlerën 19.9 milionë euro, krahasuar me vlerën prej 9.8 milionë eurosh të regjistruar deri në mars 2014.

Në raportin e fundit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) thuhet se rritja e profitit është kryesisht rezultat i zvogëlimit të shpenzimeve, përderisa të hyrat shënuan rritje të lehtë.

“Të hyrat e sektorit bankar deri në mars 2015 arritën vlerën 59.7 milionë euro dhe shënuan rritje vjetore prej 0,4 për qind. Struktura e të hyrave vazhdon të dominohet nga të hyrat nga interesi me 79,2 për qind, pasuar nga të hyrat nga jointeresi me pjesëmarrje prej 20,1 për qind dhe pjesa e mbetur nga të hyrat nga rivlerësimi. Deri në mars 2015, të hyrat nga interesi shënuan rënie vjetore prej 1,0 për qind. Kjo rënie i atribuohet zvogëlimit të hyrave nga interesi në kredi kryesisht si rrjedhojë e rënies së normave të interesit në kredi. Të hyrat nga jointeresi deri në mars 2015 shënuan rritje vjetore prej 3,1 për qind dhe kishin kontributin kryesor në rritjen e gjithsej të hyrave”, thuhet në raportin e fundit të BQK-së. /Zëri/Telegrafi/