Site icon Telegrafi

Banka Qendrore e Kosovës: Raporti i BE-së njeh reformat e ndërmarra

Banka Qendrore e Kosovës njofton se ka mirëpritur përfundimet e nxjerra në raportin e Komisionit Evropian për vitin 2019, i cili njeh angazhimin dhe reformat e ndërmarra në sektorin financiar dhe po ashtu ofron rekomandime për avancime të mëtejme.

Sipas BQK-së, raporti thekson progresin e bërë në fushën kërkesave të kapitalit dhe menaxhimit të riskut të bankave pas hyrjes në fuqi të rregulloreve mbi mjaftueshmërinë e kapitalit dhe raportin e leverazhit.

“Raporti thekson nevojën e themelimit të autoritetit të pavarur të rimëkëmbjes dhe përmbylljes, si dhe amandamentimin e Ligjit të Bankave për t’ia përcaktuar këtë mandat Bankës Qendrore dhe për të siguruar pavarësi funksionale të këtij autoriteti. Raporti i KE-së vlerëson masat e ndërmarra nga BQK-ja për fuqizimin e transparencës së çmimeve të kreditimit ndaj konsumatorëve. Që nga viti 2019, të gjitha institucionet kreditore duhet të përdorin formularin standard evropian të informacionit kreditor për konsumatorët për aplikimet për kredi, në mënyrë që të sigurohet shpalosja adekuate e informacionit kreditor”, thuhet në njoftimin e BQK-së.

Një hapësirë të veçantë raporti i kushton zhvillimeve të lidhura me ndikimin e pandemisë COVID-19 në ekonominë e Kosovës, me ç’rast thekson masat e ndërmarra nga ana e BQK-së për të ndihmuar huamarrësit në tejkalimin e vështirësive financiare që kanë buruar si pasojë e krizës.

“Raporti përshkruan masat rregullatore dhe mbikëqyrëse të BQK-së, të cilat kanë mundësuar shtyrjen e pagesave të kësteve të kredisë për huamarrësit, si dhe kanë krijuar lehtësira për ristrukturimin e kredive”, vijon njoftimi.

Një fushë tjetër e adresuar në raport ka të bëjë me ndryshimin e Rregullores mbi Menaxhimin e Komisioneve dhe Shpenzimeve Operative për siguruesit jo-jetë, me çka është zvogëluar limiti i raportit të shpenzimeve operative ndaj gjithsej kostove nga 35 për qind në 24 për qind.

“Banka Qendrore nuk ka marrë ndonjë masë të menjëhershme për liberalizimin e çmimeve në tregun e sigurimeve. Sidoqoftë, BQK-ja në shtator të këtij viti ka njoftuar publikun lidhur me përgatitjet e përbashkëta me Autoritetin Kosovar të Konkurrencës për ndryshim të modelit të përcaktimit të çmimit bazuar në rrezik”, përfundon njoftimi.

Mosadresimi i çështjes së automjeteve të pasiguruara dhe paregjistruara, si dhe kostot që i shkaktohet sektorit të sigurimeve, vazhdojnë të theksohen si çështje shqetësuese në këtë raport.

Gjithashtu, mungesa e mbulimit të Kosovës me kartonin e gjelbër sipas raportit, vazhdon të përfaqësojë një barrë financiare për udhëtarët (përveç atyre nga vendet me të cilat Kosova ka marrëveshje bilaterale të sigurimit të automjeteve). /Telegrafi/

Exit mobile version