Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti bën të ditur se parashikimet për këtë vit janë që norma e rritjes ekonomike do të jetë 6.6 për qind.
Derisa thotë se lehtësimi i masave kundër COVID-19 që ndodhen gjatë vitit 2021, bëri që të ketë një rritje të ndejshme ekonomike në vend.
Mehmeti vlerëson se bashkatdhetarët që kanë ardhur këtë verë në Kosovë, kanë shpenzuar mbi 630 milionë euro, teksa tregon se remitencat kanë arrit 651 milionë euro.
Guvernatori thotë se sfidë mbetet numri i madh i automjeteve të paregjistruara në Kosovë. Përveç Kartonit të Gjelbër, sfidë tjetër mbetët edhe shfrytëzimi i platformës së internetit për pagesa elektronike “Paypal”, ngase kjo e fundit nuk e njeh Kosovën shtet.
Duke folur për rritjen ekonomike, Mehmeti thotë se në vitin 2020, Kosova kishte një rënie ekonomike 3 për qind për shkak të masave për parandalimin e përhapjes së COVID-19.
“Masat e ndërmarra për parandalimin e pandemisë COVID-19 sikurse në gjithë botën, ashtu edhe në Kosovë ndikuan ose ndikuan dukshëm në aktivitetin ekonomik në Kosovë, kështu që viti 2020 në terma real, sipas të dhënave që i kemi, kemi një rënie ekonomike 3 përqind. Mirëpo, relaksimi i masave që ndodhen gjatë vitit 2021, jo vetëm në Kosovë, por edhe në vendet nga vijnë diaspora, bëri që të kemi një rritje të ndejshme ekonomike në vend. Dhe parashikimet tona janë që rritja ekonomike në Kosovë do të jetë 6.6 për qind, edhe pse është subjekt i rishikimit, duke pasur parasysh, deri në fund të vitit se si rrjedh çështja që ka të bëjë me pandeminë, duke pasur parasysh që burim i krizës në Kosovë dhe në nivel botëror është pandemia dhe jo faktor të tjerë ekonomik. Gjithçka lidhet me pandeminë”, theksoi Mehmeti.
Sipas tij, remitencat nga bashkatdhetarët kanë shënuar rritje 24 për qind, derisa shpenzimet e tyre deri në korrik ishin 140 për qind më shumë se vitin paraprak.
“Lehtësimi i kufizimeve të lëvizjes të bashkatdhetarëve nga vendet që vijnë në Kosovë del që të kemi ardhje të shumë bashkatdhetarëve dhe që të kemi një rritje të konsiderueshme të shpenzimeve jo-rezidente, që ne i quajmë shpenzime të diasporës, të cilat me të dhënat e korrikut, që i kemi ne në dispozicion shënojnë 630 milionë euro apo me një rritje nëse e krahasojmë mbi baza vjetore del të jetë 140 përqind. Por, edhe nëse e krahasojmë me vitin 2019, kemi një rritje rreth 7 për qind. Remitencat vazhdojnë të jenë në rritje, shënojnë 651 milionë euro apo me një rritje vjetore 24 për qind”, theksoi ai.
Ardhja e mërgatës, sipas Mehmetit, ndikoi edhe në rritjen e importit të mallrave në mbi 40 për qind, teksa shton se është rritur edhe vlera e eksporteve në 476 milionë euro ose 63 për qind më shumë.
“Kjo ka bërë të kemi edhe rritje të kërkesave të brendshme në Kosovë gjë që ka quar në rritjen e importit në përqindje rreth 43.4 për qind, duke arrit vlerën 2.9 miliardë euro. Por, gjithashtu kemi edhe rritje të eksporteve, shprehur në përqindje rreth 63.4 për qind ka rritje të eksporteve që ka arrit vlerën 476 milionë euro. Kjo ka bërë që të thellohet edhe më tutje deficiti tregtar që ka arrit në 2.44 miliardë euro apo me një rritje vjetore prej 40 për qind”, tha Mehmeti.
Guvernatori ka folur edhe për rritjen e çmimeve në vend, teksa thotë se inflacioni ka shënuar rritje nga 0.2 për qind në 1.6 për qind, ndërsa investimet e huaja, Mehmeti thotë se kanë arrit 271 milionë euro.
“Sa i përket inflacionit nga 0.2 përqind sa ishte një vit më herët, ka shkuar në 1.6 për qind dhe gjithashtu edhe investimet e huaja direkte kanë shënuar rritje nga 201 milionë sa ishin vitin 2020, kanë arrit 271 milionë. Por, kryesisht kemi rritje të investimeve të huaja direkte në sektorin e patundshmërisë, shprehur në përqindje i bie diku rreth 80 për qind në këtë sektor. Ndërkaq, investimet e huaja direkte në shërbimet financiare mbesin të njëjta me vitin e kaluar”, thotë ai për KosovaPress.
Ani se normat e interesit për kredi shënojnë 6 përqind dhe kriza ekonomike e shkaktuar nga pandemia, vetëm gjatë vitit 2021, bankat komerciale kanë lëshuar kredi të reja 974 milionë euro.
“Nëse shohim sektorin bankar si komponent kryesore të sektorit financiar, edhe përkundër rreziqeve të pritura gjatë periudhës së pandemisë, vetëm gjatë vitit 2021, ka arrit të lëshoj kredi të reja 974 milionë euro, gjë që ka bërë që totali i kredive të jetë 3.5 miliardë euro apo me një rritje vjetore prej 12 përqind. Vazhdon të ketë edhe rritje të aseteve. Mjetet në sektorin bankar kanë shënuar 5.6 miliardë euro apo me një rritje vjetore rreth 15 për qind. Gjithashtu sektori bankar vazhdon ta ketë besueshmërinë e lartë të publiku dhe si rezultat i saj kemi rritje të depozitave që kanë arrit të jenë 4.5 miliardë euro me një rritje prej 14.5 përqind. Në anën tjetër norma e interesit në kredi ka rënë në 6 për qind, gjë që ka bërë të lehtësohet qasja në financa”, thotë ai.
Në anën tjetër, kreditë e këqija edhe pas përfundimit të moratoriumit që ka qenë një periudhë ristrukturimit, prapë se parap vazhdojnë të mbesin të ulëta, duke shënuar kështu 2.6 për qind.
Mehmeti ka treguar edhe mënyrën e fitimit të bankave në gjysmën e parë të këtij viti që kanë shënuar 55 milionë euro.
“Me të dhënat e qershorit, diku rreth 55 milionë euro është fitimi i bankave. Bankat vazhdojnë ta ruajnë atë normën e profitit që realisht e kanë ndër vite dhe realisht kjo nuk është si rezultat i rritjes së normave të interesit, por si rezultat i menaxhimit më të mirë të shpenzimeve ose zvogëlimit të shpenzimeve që bankat janë duke i bërë. Tash, një gjë çka ne e kemi jo vetëm si Kosovë, por edhe në nivel global se edhe prej krize del diçka e mirë. Që në rastin konkret, ne kemi qenë shumë të kujdesshëm në lëvizjen e digjitalizimit të sektorit bankar. Mirëpo, pandemia bëri që ky proces të përshpejtohet. Tash lëvizja drejt digjitalizimit ka bërë që të ulëte kosto, të rritet efikasiteti për klientë, por gjithashtu edhe për bankat”, ka treguar Mehmeti.
Sa i përket sektorit të sigurimeve, Mehmeti thotë se ky sektor ka arrit të konsolidohet dhe të jetë profitabil. Në anën tjetër guvernatori shton se për t’u anëtarësuar Kosova në Kartonin e Gjelbër duhet të ulet numri i automjeteve të paregjistruara që ka arrit në 30 për qind.
Ai ka thënë po ashtu se janë në pritje të kompletimit të bordit të BQK-së që nuk është funksional tash 15 muaj.
“Vazhdojnë të kenë rritje edhe të pagesës së dëmeve, baza vjetore diku rreth 24 për qind, jo pse ka dëme më shumë se në të kaluarën, por si rezultat i mbikëqyrjes së përafërt që ne si BQK jemi duke bërë këtij sektori. Ky sektor ka arrit të konsolidohet më në fund dhe të jetë profitabil. Tashmë jemi në pritje të kompletimit të Bordit dhe besoj që kur të kompletohet Bordi i BQK-së, se e u bën qe 15 muaj s’kemi bord funksional, dhe ta aprovojmë këtë Rregullore dhe lëvizim drejt liberalizimit të tregut të sigurimeve në segmentin e sigurimeve të detyrueshme. Qeveria ka nxjerrë vendim dhe është formua një grup punues, i cili do të merret vetëm me çështjen e Kartonit të Gjelbër dhe në kuadër të këtij grupi, të kësaj ekipe është ndër institucional dhe merr pjesë edhe BQK dhe MPB. Dhe akterë të tjerë relevant që duhet të jenë pjesë e këtij Grupi, e që besoj se shumë shpejt kjo çështje do të adresohet, duke pasur parasysh që po shihet që kemi një qasje serioze të qeverisë në këtë drejtim. Andaj, fillimisht duhet të adresohet çështja e automjeteve të pasiguruara(ose të paregjistruara) që është shumë e lartë në Kosovë dhe më pastaj të fillohet edhe me aplikim në Këshillin e Byrove”, theksoi ai.
Mehmeti shtoi se për të pasur Kosova qasje në sistemin e pagave elektronike në Paypal, kërkohet koordinim ndër institucional, teksa thekson se BQK ka marrë iniciativë në këtë drejtim, përkundër që platforma e internetit nuk e njeh Kosovën si shtet.
“Kosova si shtet i ri ka pasur dhe vazhdon të ketë vështirësi për qasje në platformat e internetit. Kjo fillimisht është edhe si pengesë që për një kohë nuk e kemi pasur kodin telefonik. Më pastaj, ne ende nuk e kemi domenin tonë shtetëror. Përkundër kësaj, shumë platforma të internetit Kosovën e kanë përfshirë në listat e saj si shtet, por disa prej këtyre nuk kanë përfshirë që në këtë rast është edhe Paypal, pasataj, e kemi Samsung Pay, Google Pay. Ne si Bankë Qendrore kemi bërë përpjekje që ta sjellim edhe këtë sistem të pagesave në Kosovë, sikur Paypal, edhe Google Pay, dhe Samsung Pay. E kështu me rend. Kemi bërë aprovimin e një rregullore për regjistrime, që ka të bëjë me institucionet financiare jo bankare, të cilat merren me parat elektronike”, shton Mehmeti.
Sa i përket institucioneve mikrofinanciare dhe financiare jobankare po ashtu, ai thotë se ka institucione të tilla, të cilat e kanë statutin e OJQ-së, teksa shtoi se këto funksionojnë si institucione financiare bazuar në legjislacionin në fuqi.
Mehmeti e thotë me përgjegjësi të plotë, se nuk ka asnjë problem sa i përket zbatimit të ligjit që ka të bëj me fushën që ndërlidhet me rregullimin dhe mbikëqyrjen e këtyre institucioneve financiare.
Derisa thekson se në të ardhmen duhet të adresohet çështja e statutit të OJQ-së, e cila duhet të rregullohet me ligjin e OJQ-së.
Në këtë sektor kreditë kanë arrit deri 220 milionë euro, me një rritje vjetore 5 deri 7 për qind, përkundër që normat e interesit në këtë sektor mbesin të larta.
Guvernatori Mehmeti tha se është një sektor që kërkon të rregullohet edhe më shumë në kuptimin legjislativ, duke pasur parasysh këtë, BQK ka përcjellë edhe draft ligjin në Kuvend sa i përket çështjeve që kanë të bëjnë me pagesa, para elektronike dhe çështje të tjera të cilat janë me interes. /Telegrafi/