Telegrafi

Banka Qendrore: DASH vlerëson lartë sektorin financiar në Kosovë

Departamenti amerikan i Shtetit ka publikuar raportin për klimën e investimeve për vitin 2020 për Kosovën, ku është dhënë vlerësim i lartë për sistemin financiar të vendit.

Sipas njoftimit të Bankës Qendrore të Kosovës, në këtë raport theksohet se sistemi rregullator përputhet me direktivat e Bashkimit Evropian dhe standardet ndërkombëtare.

“Në raport është theksuar edhe qëndrueshmëria e sektorit bankar, i cili mbetet mirë i kapitalizuar dhe fitimprurës. Kushtet e vështira ekonomike, zbatimi i dobët i kontratës dhe sjellja e paqartë ndaj rreziqeve kanë kufizuar aktivitetet e huazimit të bankave, megjithëse përmirësimi i dukshëm ndodhi në vitet e fundit. Në shkurt të vitit 2020, norma e kredive joperformuese ishte 2.5 për qind, niveli më i ulët në 10 vjetet e fundit. Normat e interesit kanë rënë ndjeshëm në vitet e fundit, nga një mesatare prej rreth 12.7 për qind në 2012 në një mesatare prej 6.3 për qind në vitin 2020. Kreditimi më i ngadaltë është i dukshëm në pjesën veriore të Kosovës për shkak të një gjyqësori të dobët, aktiviteteve informale të biznesit dhe më pak të kualifikuar huamarrësit”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, sipas raportit vendi nuk ka humbur asnjë marrëdhënie bankare korrespodente në tre vitet e fundit dhe asnjë marrëdhënie e tillë aktualisht nuk është në rrezik.

Në fund, BQK thotë se shpreh vlerësimin më të lartë për raportin që ka të bëjë me pjesën e sektorit financiar. /Telegrafi/