Site icon Telegrafi

Banka e Anglisë prezanton kartëmonedhat e reja me pamjen e Mbretit Charles III – pritet të hyjnë në qarkullim nga mesi i 2024-së

Banka e Anglisë ka prezantuar modelet e reja të kartëmonedhave me imazhin e Mbretit Charles III, që pritet të futen në qarkullim nga mesi i vitit 2024.

Portreti i mbretit të Britanisë së Madhe do të shfaqet në modelet e katër kartëmonedhave që aktualisht janë në qarkullim – pra 5 paund, 10 paund, 20 paund dhe 50 paund.

Imazhi i Charles III do të shfaqet në pjesën e përparme të kartëmonedhave, si dhe në pjesën e hologramit që është e bërë nga plastika polimer. Kartëmonedhat që paraqesin Mbretëreshën Elizabeth II do të vazhdojnë gjithashtu të mbeten në qarkullim, përcjell Telegrafi.

Threadneedle Street tha se planet ishin bërë në përputhje me udhëzimet nga Familja Mbretërore për të minimizuar ndikimin mjedisor dhe financiar për të shtypur kartëmonedha të reja.

“Kjo do të thotë se kartëmonedhat që paraqesin Mbretëreshën Elizabeth II dhe Mbretin Charles III do të ‘bashkë qarkullojnë'”, thuhet në njoftim.

Mbreti Charles III do të bëhet vetëm monarku i dytë në historinë britanike që shfaqet në një kartëmonedhë. Megjithëse kartëmonedhat janë prodhuar nga Banka e Anglisë që nga fundi i viteve 1600, një ngjashmëri e tillë u shfaq për herë të parë në vitin 1960.

Pamja e Mbretëreshës Elizabeth II gjendet gjithashtu në kartëmonedhat prej 20 dollarësh në Kanada, në monedhat e Zelandës së Re dhe në disa vende të tjera të Commonwealth.

Viteve të fundit, përdorimi fizik i monedhave ka rënë në mënyrë të vazhdueshme, mes rritjes së pagesave me kartela bankare. Megjithatë, më shumë se 4.7 miliardë kartëmonedha të Bankës së Anglisë që shfaqin Mbretëreshën Elizabeth II mbeten në qarkullim, me vlerë rreth 82 miliardë paund.

Edhe pse modelet e kartëmonedhave të prezantuara nga Banka e Anglisë do të shfaqin një portret të ri të monarkut, ana e pasme do të mbetet e pandryshuar, me autoren Jane Austen në kartëmonedhat 10 paund, artistin JMW Turner në ato 20 paund dhe shkencëtarin Alan Turing në kartëmonedhat 50 paund. Karakteristikat e sigurisë, përfshirë hologramet, gjithashtu do të mbeten të pandryshuara.

Qytetarët britanikë do të jenë në gjendje t’i përdorin këto kartëmonedha të reja pasi të fillojnë të hyjnë në qarkullim në vitin 2024. /Telegrafi/

Exit mobile version