Coronavirusi do të ndikojë që prodhimi ekonomik botëror të tkurret për 5.2 për qind më 2020.
Kështu ka thënë Banka Botërore, duke paralajmëruar se parashikimi i fundit do të shkojë edhe më poshtë, nëse pasiguria rreth pandemisë COVID-19 dhe mbyllja e bizneseve do të zgjasë për periudhë më të gjatë.
Në raportin e saj të fundit, kjo bankë ka thënë se ekonomitë më të avancuara pritet të tkurren për 7 për qind më 2020, derisa ekonomitë e vendeve në zhvillim do të tkurren për 2.5 për qind.
Në baza të Prodhimit të Brendshëm Bruto për kokë banori, tkurrja botërore do të jetë më e thella prej periudhës së Luftës së Dytë Botërore.
Parashikimet e përditësuara tregojnë më shumë dëme në ekonomi, sesa ishte vlerësuar në muajin prill nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, i cili ka parashikuar ulje ekonomike prej 3 për qind më 2020.
Po ashtu, presidenti i Bankës Botërore, David Malpass kishte thënë se, pandemia do të jetë një goditje shkatërrimtare për ekonominë e botës.
Kujtojmë se rastet e para me Coronavirus janë raportuar në Wuhan, Kinë, në fund të vitit të kaluar.
Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën me këtë virus janë infektuar mbi 7 milionë persona. Prej tyre, mbi 3 milionë janë shëruar, derisa mbi 400 mijë kanë vdekur. /Telegrafi/