Site icon Telegrafi

Banka Botërore: Pasiguria politike në Kosovë po cenon perspektivën e rritjes ekonomike

Zyra e Bankës Botërore në Kosovë në prezantimin e raportit të rregullt ekonomik për Ballkanin Perëndimor thotë se përkundër hyrjeve të reja në tregun e punës, shpenzimet më të larta publike nuk do të jenë të mjaftueshme për të ulur papunësinë.

Sipas bankës, pasiguria politike në vend po cenon perspektivën e rritjes ekonomike.

“Shpenzimet e larta kapitale pritet ta mbajnë rritjen ekonomike ne Kosovë te fuqishme në 2019, me një parashikim të rritjes prej 4.4 për qind, kryesisht të nxitur nga investime më të larta, si publike ashtu edhe private. Pritet të fillojnë disa projekte të mëdha të investimeve publike, sidomos projektet hekurudhore dhe rajonale. Investimet private pritet të rriten, të nxitura nga kushtet e favorshme të kreditimit dhe nga investimet e huaja direkte në sektorin e energjisë dhe në pasuri të patundshme. Megjithatë, duke pasur parasysh numrin e madh të hyrjeve të reja në tregun e punës, shpenzimet më të larta publike nuk do të jenë të mjaftueshme për të ulur ndjeshëm papunësinë e lartë kronike. Perspektiva pozitive është e cenueshme nga pasiguria politike në vend, ulja e investimeve të pritura nga institucionet e huaja financiare, dhe rritja më e ngadaltë në BE. Për më tepër, zgjerimi i investimeve publike si nxitës i rritjes deri në vitin 2020 mund të vuajë nga kapaciteti i kufizuar i Kosovës për ta realizuar programin e investimeve”, thuhet në raportin e Bankës Botërore, përcjell Telegrafi.

Tutje në raport, Banka Botërore thotë se Ligji i Pagave mund të çojë në një përkeqësim të përbërjes së shpenzimeve publike nëse nuk rregullohet me legjislacion dytësor.

“Rreziqet fiskale janë në rritje. Ligji i ri për Pagat Publike, nëse nuk rregullohet me legjislacion të kujdesshëm dytësor, mund të rezultojë në deficite më të larta se rregulli fiskal, ose të çojë në një përkeqësim të përbërjes së shpenzimeve publike. Duke qenë se ligji hyn në fuqi vetëm në fund të vitit 2019, ndikimi i plotë nuk do të ndjehet deri në vitin 2020. Pagat më të larta në sektorin publik mund të bëjnë presion mbi pagat e sektorit privat, çka mund të dëmtojë konkurrueshmërinë e eksportuesve kosovarë. Rreziqe të tjera fiskale mund të lindin nga rritja e shpenzimeve të pashënjestruara për mbrojtje sociale. Deri në vitin 2025, borxhi publik dhe garancionet mund të arrijnë 30 për qind të BPV-së nëse rritja e shpenzimeve rrjedhëse vazhdon të tejkalojë rritjen e të hyrave”, vijon raporti.

Lexo po ashtu Banka Botërore: Mbi 17 mijë vende të punës kanë humbur gjatë vitit 2018 në Kosovë

Në fund, institucioni financiar thotë se Kosova duhet të ndërmerr reforma me qëllim që të balancohen rreziqet.

“Për të balancuar rreziqet, reformat duhet të drejtohen në: ruajtjen e stabilitetit fiskal, zhvendosjen e burimeve drejt sektorëve të tregtueshëm, shtimin e investimeve në arsim dhe shëndetësi për të realizuar përfitimet e përparësisë demografike dhe për të përmirësuar shkathtësitë, angazhimin dhe punësimin e të rinjve dhe grave duke reduktuar stimujt negativ ndaj pjesëmarrjes në tregun e punës; rritjen e produktivitetit duke adresuar barrën rregullatore për bizneset, duke përmirësuar sistemin gjyqësor, adresimin e korrupsionit, si dhe ndërtimin e qëndrueshmërisë mjedisore”, përfundon raporti. /Telegrafi/

Exit mobile version