Ish-sulmuesi i Milanit dhe Interit, Mario Balotelli ka kritikuar Dani Alvesin për komentin e pandjeshëm rreth vdekjes tragjike të kapitenit të Fiorentinës, Davide Astorit.
Mbrojtësi 31-vjeçar i Fiorentinës dhe kapiteni Astori u gjet i vdekur në dhomën e hotelit në Udine disa orë para se “Violat” të takohen me Udinesen të dielën. Astori kishte luajtur në 18 raste për Italinë si dhe për Romën dhe Cagliarin.
Braziliani kishte deklaruar se në këtë botë mijëra fëmijë vdesin çdo ditë për arsye të ndryshme duke mos iu kushtuar shumë vëmendje sikurse Astorit.
Këto komente të Alvesit për vdekjen e Astorit kanë shkaktuar reagime dhe kritika të ashpra, duke përfshirë edhe Balotellin, i cili kishte disa fjalë për ish-lojtarin e Barcelonës, Alvesin.
“Ai ka mundur të kursente atë. Ai duhej t’i shprehte ngushëllimet dhe kaq. Edhe unë mund të thosha fjalë ofenduese”, kishte shkruar në Instagram, Balotelli.
“Ai nuk mund t’i bënte këto komente në lidhje me vdekjen, ai tha gjëra që nuk kanë të bëjnë fare me të, Astori ishte një djalë i mirë dhe i sjellshëm. Kam luajtur me të në ekipin kombëtar, fatkeqësisht nuk do të mund të shkoj në funeralin për shkak të stërvitjeve, përndryshe, do ta kisha marrë veturën dhe do të shkoja”
“Kjo është diçka që ndodh përkundër kontrollit të rregullt që kemi futbollistë një herë në muaj. Është me të vërtetë e frikshme se ai vdiq në shtrat dhe asgjë nuk ndodhi. Është e lehtë të shkosh në parajsë”, ka shkruar ndër të tjerash Balotelli. /Telegrafi/