Mario Balotelli është hedhur në mbrojtje të Gianluigi Donnarummas, pasi atij iu bë një pritje shumë armiqësore pas kthimit të tij në “San Siro” për t’u përballur me Milanin.
Pasi u fishkëllye para nisjes së ndeshjes, Donnarummas iu desh të largonte nga porta paratë e rreme me fytyrën e tij, pasi tifozët kuqezi i hodhën ato në fushë në shenjë pakënaqësie për shkak të mënyres se si ai u largua nga klubi.
Milani e fitoi ndeshjen me rezultat 2-1 me golat e Rafael Leao dhe Olivier Giroud, pasi Milan Skriniar kishte shënuar paraprakisht për t’i dhënë epërsinë mysafirëve.
Kylian Mbappe pati disa fjalë pas ndeshjes duke e cilësuar sjelljen e tifozëve të Milanit si “pak të tepërt”.
Balotelli është sigurisht jo vetëm një ish-lojtar i Milanit, por edhe një tifoz i klubit, kështu që ai ka mundësinë të shohë të dyja anët e monedhës dhe pikërisht për këtë, ai foli për Donnarumman në podkastin Vox to vox.
“Më erdhi keq për Gigion, ne vërtet nuk i dimë gjërat që i kanë ndodhur. Tifozët e Milanit nuk mund ta kuptojnë, por më vjen keq sepse ai nuk e meriton të trajtohet kështu. Si futbollist ai nuk mund të thotë se çfarë ka ndodhur në të vërtetë”, ka thënë Balotelli.
“Megjithatë, besoj se nëse do të kishte mundur, do të kishte qëndruar te Milani. Unë e di se çfarë ka ndodhur, ai nuk ka faj. Me sa dinë fansat, është në rregull që të sillen kështu, por Gigio nuk i është përgjigjur askujt dhe nuk ka bërë asgjë”, përfundoi ai.
Donnarumma u largua nga Milani në korrik të vitit 2021 dhe u transferua në kryeqytetin francez tek PSG-ja si transfer i lirë./Telegrafi/