NISMA Socialdemokrate – Dega në Prizren në garën e balotazhit për kryetar të komunës më 14 nëntor, do të mbështesë kandidatin e PDK-së Shaqir Totaj në përballje me Mytaher Haskukën e Lëvizjes Vetëvendosje.
“NISMA në Prizren edhe në të kaluarën i ka shërbyer ndryshimit, ndryshim që për fat të keq para katër vjetësh ka qenë më shumë deklarativ se përmbajtësor, e për të cilën edhe qytetarët u bindën se qeverisja e keqe e viteve të fundit duhet të gjykohet me votë, për të cilën strukturat tona të degës dhe nëndegëve, si dhe gjithë aktivistët dhe simpatizantët kudo që veprojnë në komunën e Prizrenit, do të kontribuojnë për ndryshim që me të drejtë e presin qytetarët e Prizrenit”, thuhet në njoftimin e Nismës, përcjell Telegarfi.
Sipas njoftimit, mbështetja për Shaqir Totajn më 14 nëntor është edhe mbështetje e projekteve të prezantuara gjatë fushatës nga kryetari i NISMA në Prizren, Zafir Berisha.
Totaj dhe Haskuka morën më së shumti vota në raundin e parë dhe do të garojnë në balotazh për të parin e komunës për katër vjetët e ardhshme. /Telegrafi/