Telegrafi

Balluku takon Salvinin në Romë: Nxitje investimeve në energji dhe infrastrukturë

Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë zhvilloi sot një takim në Romë me zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Infrastrukturës dhe Transporteve të Italisë, Matteo Salvini.

Balluku bëri të ditur se në takim u konfirmuan raportet e ngushta dhe miqësore mes dy qeverive, duke shprehur angazhimin e përbashkët për rritjen e bashkëpunimit në zhvillimin e investimeve në energji, infrastrukturë, si dhe programet e modernizimit të transportit në vendin tonë, veçanërisht në fushën detare dhe hekurudhore.

“Gjithashtu e njoha mbi ecurinë e projekteve lidhur me Korridorin VIII, dhe veçanërisht në ato hekurudhore, duke vendosur theksin se kjo vepër, së bashku me Korridorin Blu, janë thelbësore sa i takon turizmit, zinxhirëve të furnizimit dhe sigurisë së rajonit Adriatiko-Jonian në tërësi”, tha ajo.

Balluku u shpreh se këto projekte morën vlerësime edhe nga qeveria italiane, ndërsa nënvizoi se “Italia mbetet një nga partnerët tanë historik dhe mbështetja e tyre ndër vite ka qenë e pakursyer”. /Telegrafi/