Telegrafi

Ballkani synon të vazhdojë me paraqitje të mira në Ligën e Konferencës

Trajneri i Ballkanit, Ilir Daja, ka folur në një konferencë për media para ndeshjes së dytë të fazës së grupeve të Ligës së Konferencës kundër Slavia Pragës në udhëtim, sfidë kjo e cila zhvillohet te enjten.

Para ndeshjes, trajneri shqiptar e vlerësoi lartë kundërshtarin nga Republika e Çekisë, por insistoi se do të kërkojë rezultate pozitive edhe më tutje në këtë kompeticion të rëndësishme evropian.

“Është ndeshja e parë në transfertë ku përballë kemi ekipin favoritë, ku gëzon një formë shumë të mirë edhe në kampionatin vendor në Çeki, ka edhe shumë eksperiencë në kompeticionet evropiane, por gjithsesi duke e respektuar kundërshtarin ne do të përpiqemi që me mundësitë tona, me kontingjentin që kemi në dispozicion të bëjmë më të mirën e mundshme për të vazhduar atë paraqitjen e mirë që kemi bërë ndaj një kundërshtari tjetër të fortë siç është Cluj në ndeshjen e parë të grupeve”, është shprehur ai.

Trajneri i Slavia Pragës, Jindrich Trpisovsky, para ndeshjes tha se Ballkani është një skuadër shumë mirë e organizuar dhe se luan futboll me shumë kombinime. Për këtë, Daja, pati një përgjigje.

Lexo po ashtu Trajneri i Slavia Pragës me vlerësim të lartë për Ballkanin, veçon tre futbollistë

“Ndjehem i respektuar për fjalët e kolegut, për vlerësimin e tij. Mendoj që të njëjta fjalë, por në një nivel akoma më të madh i përcjellë unë edhe për ekipin e Sllavias sepse përveç që ka një ekip me goxha kualitete individuale, por ka edhe një lojë ku duket dora e drejtimit të stafit të teknik dhe ajo që kanë akoma edhe më shumë është ekspericenca që kanë në të tilla kompeticione, pra që e vështirëson akoma më shumë por nganjëherë kur është edhe e vështirë, është edhe e bukur”, ka thënë Daja, citon KP.

Para mediave foli edhe portieri, Stivi Frashëri, i cili tha se ndaj Sllavia Pragës duhet të jenë shumë më të kujdesshëm se sa ishin ndaj CFR Cluj.

“Është kënaqësi që të kemi mundësinë si futbollistë të performojmë me një kundërshtar si Slavia e Pragës. Shpresoj që të bëjmë më të mirën edhe të kemi një rezultat pozitivë…”

“Normalisht edhe nga historia Sllavia tregon vetvetiu që është një kundërshtar më i fortë se Cluj apo Sivasporti që ne do të përballemi më tej. Është pretendenti kryesor për grupin tonë dhe ajo që dallon është që duhet të motivohemi shumë e më shumë se sa jemi motivuar ndaj Cluj dhe duhet të jemi shumë më të kujdesshëm sepse kanë një sulm që ndoshta mund të jetë vrastar nëse e merrni lehtë këtë ndeshje kështu që ne do mundohemi të japim maksimumin”, ka deklaruar Frashëri.

Ndeshja Sllavia Praga-Ballkani zhvillohet nesër (e enjte) me fillim nga ora 18:45 në stadiumin “Fortuna Arena”.