Feronikeli ‘74 sot ka njoftuar se do të largohen nga garat, ndërsa po ashtu kanë njoftuar edhe për një konferencë për media për ditën e enjte.
Këtë vendim të Feronikelit ‘74 e ka pritur me shqetësim kampioni aktual i Kosovës, Ballkani, duke shtuar se nuk e fshehin faktin që këtë sezon po përballen me verditke kontestuese nga gjyqtarët e ndeshjeve, pothuajse çdo javë.
“FC Ballkani e ka pranuar me shqetësim shumë të thellë, njoftimin nga Feronikeli’74 se ky klub ka vendosur të tërhiqet nga garat e mëtutjeshme të Superligës”.
“Arsyet e skuadrës nga Drenasi i ndjejmë të gjithë, pasi më nuk është i fshehur fakti se po përballemi me verditke kontestuese nga gjyqtarët e ndeshjeve, pothuajse çdo javë”.
“Ne si klub kampion e që i kemi dhënë shumë futbollit të Kosovës, bëjmë apel tek Federata e Futbollit të Kosovës që të ndërmerren masa progresive në referim, pasi kjo që sot po ndodh me Feronikelin, nesër mund të ndodh me ne apo klubet tjera kosovare”.
“Ekipi ikonik nga Drenica është i lidhur ngusht me historinë e futbollit tonë shtetëror, është 3 herë kampion, po aq herë fitues i Kupës së Kosovës e triumfues në dy Superkupa”.
“Klubet e tilla që kanë kontribuar gjatë që sporti më i dashur i tifozëve të shënojë progres, janë asete të Republikës andaj nuk mund të lejohet që t’i shikojmë të detyruar për akte të tilla”, ka shkruar Ballkani.
Ballkani aktualisht është lider në elitën e futbollit kosovar me 19 pikë, ndrësa Feronikeli është i fundit me 3 pikë. /Telegrafi/