Telegrafi

Ballkani shpartallohet në shtëpi nga Gjilani, Ardit Hila realizoi het-trik

Foto: SC Gjilani/Facebook

Gjilani ka fituar me rezultat bindës në udhëtim te Ballkani në kuadër të ndeshjes që kishte mbetur për javën e 12-të.

Gjilanasit triumfuan 4-0 në Suharekë, duke e befasuar kështu skuadrën e drejtuar nga Ismet Munishi në stadiumin e tyre.

Pas vetëm 12 minutash lojë, mysafirët kaluan në epërsi me anë të Ardit Hilës që përfitoi nga një gabim i portierit Armend Rugji.

Kur po përfundonte pjesa e parë, Hila (45’), arriti të realizonte edhe golin e tij të dytë, nga një asistim i Darko Nikaç.

Pjesa e dytë po ashtu u dominua nga Gjilani që shënoi edhe dy herë të tjera.

Ishte minuta e 57-të kur Fiton Hajdari bëri një asistim të bukur për Darko Nikaçin që shënoi me lehtësi në portën e Ballkanit.

Ardit Hila ishte tejet i disponuar për lojë dhe arriti të realizonte het-trik në minutën e 81-të, duke vulosur kështu fitoren e skuadrës së tij.

Mevlan Zeka i Balkanit dhe Jackson Ferreira i Gjilanit pranuan edhe kartonët e dytë të verdhë, duke u përjashtuar nga loja në minutën e 90+3.

Derisa jemi në javën e 18-të, Ballkani mbetet në vendin e dytë me 38 pikë, derisa Gjilani ka aktualisht 29 sosh në vendin e katërt. /Telegrafi/