Telegrafi

Ballkani pritet në takim nga Presidentja Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim ekipin e Ballkanit para ndeshjes me Sivassporin.

Kampioni në fuqi i Albi Mall Superligës së Kosovës takohet me skuadrën turke të enjten (nesër) në kuadër të rrethit të katërt të fazës së grupeve në Ligën e Konferencës.

Osmani i ka uruar suksese Ballkanit për këtë përballje, derisa vazhdojnë të na bëjnë krenar me arritjet e tyre.

“Sot me ftesën e të parës së vendit ishim në presidencë. Vjosa Osmani na uroi për arritjen e klubit si dhe na dëshiroj suksese në ndeshjen e nesërme dhe rrugëtimin tutje në Evropë”, ka shkruar Ballkani në faqen e tyre zyrtare në Facebook.

Përballja e parë që u zhvillua në javën e kaluar u fitua nga skuadra nga Suhareka me rezultat 4-3, derisa nesër mbrëma tentojnë të marrin sërish rezultat pozitiv në “Fadil Vokrri”.

Ballkani është lider i Grupit G me katër pikë, aq sa kanë edhe Sivasspori, Slavai Praga dhe Cluj. /Telegrafi/