Ballkani ka barazuar me rezultat 2-2 me Feronikeli ’74 në ndeshjen e vlefshme për javën e 20-të më Albi Mall Superligën e Kosovës.
Kampioni në fuqi i Kosovës nuk ka arritur të vazhdoj serinë e fitoreve, pasi është ndalur në shtëpi nga drenicasit.
Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me shumë raste, por mysafirët ishin më konkret duke shënuar dy herë, kundrejt një herë të vendasve.
Goli i parë i ndeshjes erdhi në minutën e 16-të me anë të Granit Musës, i cili shënoi për 0-1, ndërsa Walid Hamidi (30’) barazoi shifrat në 1-1.
Kur pritej që ekipet të shkonin në pushim me barazim, ashtu nuk mendoi edhe Alban Shillova, i cili shënoi për epërsinë 1-2.
Në pjesën e dytë, vendasit ishin dukshëm skuadër më e mirë, por nuk arriten më shumë se vetëm një gol që barazoi shifrat.
Goli i vetëm në këtë pjesë erdhi në minutën e 50-të me anë të Vesel Limaj, i cili shënoi për 2-2 dhe ky doli të ishte rezultati përfundimtar.
Pas këtij barazimi, Ballkani e sheh veten në pozitën e parë me 44 pikë, ndërsa Feronikeli ’74 zë pozitën e shtatë me 22 pikë.
Në ndeshjen e ardhshme, therandasit udhëtojnë te Drita, ndërsa drenicasit e presin Gjilanin. /Telegrafi/