Telegrafi

Ballkani mposht Gjilanin në derbi, prinë si lider i vetëm në Superligë

Ballkani ka arritur të triumfojë me rezultat 2-1 ndaj Gjilanit në ndeshjen derbi të vlefshme për javën e 16-të në Ipko Superligën e Kosovës.

Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me dominim të vendasve, të cilët arritën të shënojnë edhe dy gola të shpejt, kundrejt një të mysafirëve.

Goli i parë i ndeshjes erdhi pas 14-të minutave lojë dhe ishte Blend Baftiu, i cili me kokë shënoi për 1-0, ndërsa Jetmir Topalli (23′) shënoi supergol për 2-0.

Në minutën e 37-të, Gjilani arriti të ngushtoj epërsinë me anë të Gerhard Prognit, i cili shënoi për 2-1.

Në pjesën e dytë, u zhvillua lojë më e barabartë, me mysafirët që patën iniciativën në fillim, por me vendasit që ishin të vendosur mirë në mbrojtje të rezultatit.

Rastet më të mira në këtë pjesë ishin kur Baftiu (74′) goditi traversën nga afërsia dhe ai i Muhamed Useinit (90+), i cili dështoi të shënojë nga afërsia dhe ndeshja përfundoi me fitoren e vendasve 2-1.

Pas kësaj fitore, Ballkani ka 34 pikë në vendin e parë, ndërsa Gjilani i dyti me 31 pikë.

Në ndeshjen e radhës, therandasit udhëtojnë te Vushtrria, ndërsa gjilanasit e presin Prishtinën. /Telegrafi/