Telegrafi

Ballkani merr fitore të lehtë në udhëtim te Gjilani

Kampioni në fuqi i Kosovës, Ballkani ka vazhduar me fitore, teksa ka mposhtur Gjilanin me rezultat të pastër 0-3.

Ballkani e nisi më mirë ndeshjen duke krijuar raste më të mira shënimi.

Megjithatë për golin e parë në ndeshje u desh të pritej minuta e 37-të, kur Bajram Jashanica realizoi për 0-1.

Me epërsinë minimale të mysafirëve u mbyllën 45 minutat e para të ndeshjes.

Suharekasit vazhduan dominimin edhe në pjesën e dytë, ku Ermal Krasniqi shkëlqeu.

Sulmuesi malishevas i kampionëve në fuqi realizoi dy gola në pjesën e dytë për rezultatin përfundimtar 0-3.

Krasniqi shënoi për 0-2 në minutën e 67-të, derisa golin e tretë e shënoi një minutë para fundit të sfidës.

Gjilani përkundër humbjes mbetet në pozitën e tretë në tabelë me 27 pikë të grumbulluara.

Ballkani pas kësaj fitore vazhdon të jetë në pozitën e dytë në tabelë me 33 pikë, pesë më pak se Drita që është lidere, por që gjilanasit kanë tre ndeshje më shumë të zhvilluara.

Kampioni në fuqi i Kosovës do t’i zhvillojë tre ndeshjet e mbetura ndaj Prishtinës, Llapit dhe Trepçës ’89 në ditët në vazhdim. /Telegrafi/