Ballkani ka triumfuar 2-0 ndaj Feronikelit ’74 në kuadër të javës së dytë në Albi Mall Superligën e Kosovës.
Qysh në minutën e parë, mysafirët rrezikuan portën e kampionit në fuqi, kur Alban Shillova goditi nga afër, por Enea Koliçi ishte i vëmendshëm.
Shillova tentoi edhe njëherë në minutën e 13-të, mirëpo sërish nuk ia doli të mposhte Koliçin.
Ballkani më pas rrezikoi me anë të Bleart Tolajt (15’), por që portieri Bujupi ishte në vendin e duhur.
Derisa po përfundonte pjesa e parë, skuadra nga Suhareka kaloi në epërsi me golin e Albin Berishës, ndërsa Gentrit Halili ishte asistuesi (45+1’).
Pjesa e dytë filloi me një dominim edhe më të madh nga vendasit, që synonin edhe golin e dytë.
Ramadani bëri një gjuajtje të fuqishme në minutën e 61-të, por që Bujupi ishte i kujdesshëm.
Gjashtë minuta më vonë, Ballkani ia doli ta dyfishonte epërsinë, me Robert Rrahmanin që ishte i pafat, pasi realizoi auto-gol.
Pas javës së dytë, Ballkani ka arkëtuar gjashtë pikë, ndërsa Feronikeli ende pa asnjë.
Në xhiron e tretë, skuadra e Ilir Dajës zhvillon derbin ndaj Dritës, ndërsa Nikli do të ketë punë me Gjilanin. /Telegrafi/