Telegrafi

Ballkani i ik barazhit, por jo edhe Gjilani

Ballkani e ka mposhtur Dritën në xhiron e fundit të Ipko Superligës së Kosovës me rezultat 2-0.

Blend Baftiu ishte tejet i disponuar për lojë, duke i shënuar të dy golat për skuadrën nga Suhareka. Mesfushori 21-vjeçar golin e parë e shënoi në minutën e pestë, duke e dërguar skuadrën e tij në pushim me epërsi.

Pjesa e dytë ishte përsëri e kontrolluar nga Ballkani, ku Baftiu e realizoi golin e tij të dytë në ndeshje në minutën e 50-të.

Me këtë fitore, Ballkani ka arritur që t’i shpëtojë barazhit, duke grumbulluar 43 pikë, ndërsa Drita gjendet në pozitën e katërt me 48 pikë.

Gjilani nuk ka arritur t’i ikë barazhit, pasi është mposhtur nga Ferizaj në xhiron e fundit të këtij sezoni në Ipko Superligën e Kosovës, me rezultat 2-1.

Skuadra gjilanase e filloi më mirë ndeshjen, duke kaluar në epërsi me anë të Wilber Mauricio Perez Medrano që realizoi nga pika e bardhë në minutën e 37-të.

(Foto:KF Ferizaj/Facebook)

Pjesa e dytë filloi më mirë për Ferizajn, pasi arritën t’i barazonin shifrat (1-1) me golin e Qendrim Dautajt (49’).

Dardan Çerkini u tregua vendimtar për ferizajasit, duke e përmbysur rezultatin në 2-1 në minutën e 53-të, për ta fituar ndeshjen e fundit të këtij sezoni.

Ferizaj e mbylli këtë sezon në vendin e pestë me 46 pikë, duke e lënë Gjilanin në barazh me 38 pikë. /Telegrafi/