Telegrafi

“Ballkani i Hapur” apo Procesi i Berlinit, deklarata e kancelarit gjerman

Kancelari gjerman, Olaf Scholz gjatë një konference për media në Prishtinë / Foto: Ridvan Slivova

Kancelari gjerman, Olaf Scholz ka vizituar sot Kosovën, ndërsa në konferencën për media me kryeministrin vendit Albin Kurti është pyetur edhe rreth iniciativës “Ballkani i Hapur” për të cilën SHBA-të së fundi ofruan mbështetje.

Kancelari gjerman tha se prioritet është tregu i përbashkët rajonal që duhet të përparojë dhe çështjet tjera që përfshihen brenda saj.

“Sa i përket pyetjes për ‘Open Ballkan’, dua ta them qartë se ne prioritet të madh i japim tregut të përbashkët rajonal që mendojmë se duhet të përparojë… është e rëndësishme që të arrihen përparime që janë të arritshme. Të gjithë duan që të shkojnë në BE, atje edhe ashtu ekzistojnë rregullat e lirisë së lëvizjes… kushdo që dëshiron t’i bashkohet BE-së duhet t’i respektojë ato”, tha ai.

Ndërsa, në fillim të konferencës, kancelari gjerman duke folur për proceset integruese tha se do ta rijetësojë Procesin e Berlinit, derisa në vjeshtë do të ftojë një konferencë në Berlin.

Ai tha se Procesi i Berlinit është një shenjë që Gjermania do të ndihmojë me të gjitha mundësitë që ka vendet e Ballkanit Perëndimor që t’i bashkëngjiten BE-së në kohën e duhur dhe për t’i bindur ato që rruga duhet ndjekur.

“Është e paimagjinueshme që dy vende të bëhen anëtare të BE-së e nuk e njohin njëra tjetrën”, tha ai.

Ai tha se rruga drejt BE-së ka një shans realiste, ndërkaq të gjitha vendet duhet të jenë të gatshme për kompromise pragmatike. /Telegrafi/