Telegrafi

Ballkani falënderon Korenica me fjalë të mëdha pas transferimit te Manisa: Dera jonë e hapur gjithmonë për lojtarë si ti

Tani edhe zyrtarisht Meriton Korencia është pjesë e klubi turk, Manisa FK, duke e kompletuar transferimin nga Ballkani i Suharekës.

Ka qenë klubi turk që përmjet rrjeteve sociale ka njoftuar transferimin e lojtarit, ndërsa edhe Ballkani ka lëshuar një komunikatë ku ka falënderuar Korenicën për kontributin e tij, duke thënë se kanë qenë me fat që kanë pasur një lojtar të tillë.

“Kemi qenë me fat që në mesin tonë, kishim një futbollist model, siç ishit ju Meriton Korenica.  Ballkani dhe qyteti i Suharekës, do t’i ruajnë kujtimet më të mira të mundshme për ty, pasi gjithmonë ke dhënë shembullin e duhur, se si me ndershmëri, luftohet për fanellë e për klub”.

“Si brenda fushës, ashtu edhe jashtë saj, ti ishe modeli më i mirë i një sportisti, andaj dera e shtëpisë tonë, do të jetë gjithmonë e hapur për ty. Klubi dhe tifozëria jonë, të dëshirojmë sukseset më të mëdha të mundshme në karrierën tënde”, thuhet në njoftimin e klubit.

Lexo po ashtu Zyrtare: Meriton Korenica prezantohet si lojtar i klubit turk Manisa

Mesfushori nga Rahoveci ka qenë pjesë e Ballkanit në tre vitet e fundit ku padyshim ishte ndër lojtarët kryesorë të ekipit nga Suhareka, ku ka zhvilluar 130 ndeshje teksa ka shënuar 25 gola dhe ka asistuar në 20 të tjerë.

Klubi i Ballkanit do të fitojë 200 mijë euro nga shitja e lojtarit, ndërsa nëse Manisa siguron inkuadrimin në Superligën e Turqisë, do të vijnë edhe 50 mijë euro të tjera bonuse.

Lexo po ashtu Ekskluzive: Korenica transferohet në Turqi, detajet e transferimit dhe paratë që do të fitojë Ballkani

Ballkani po ashtu ka mbajtur 20 për qind të kartonit nga shitja e ardhshme./Telegrafi/